
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, ka reaguar për herë të parë për sulmin që ndodhi në sinagogë në Mançester, ku si pasojë humbën jetën dy persona dhe katër të tjerë mbeten të plagosur.
Duke folur pas një takimi urgjent në Downing Street, Starmer dënoi sulmin, që e cilësoi si të neveritshëm, duke dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për komunitetin hebre në Britani.
“Çdo hebreu në këtë vend, dua t’i them këtë: E di sa frikë ndjeni brenda vetes, e di me të vërtetë. Dhe në emër të vendit tonë, dua të shpreh solidaritetin tim dhe trishtimin tim që ende duhet të jetoni me këto frikëra. Askush nuk duhet ta përjetojë këtë. Askush”.
Starmer premtoi masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e komunitetit hebre.
“Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për t’ju garantuar sigurinë që meritoni. Kjo nis me një prani më të dukshme të policisë dhe me mbrojtjen konkrete të komunitetit tuaj” u shpreh ai.
Ai gjithashtu ka shtuar se: “Ju premtoj se gjatë ditëve në vijim do të shihni një tjetër Britani, Britaninë e dhembshurisë, të mirësjelljes dhe të dashurisë. Kjo Britani do të bashkohet për të qëndruar pranë komunitetit tuaj dhe për t’ju treguar se Britania është një vend ku ju dhe familja juaj jeni të sigurt dhe i përkisni”.
Top Channel