
Në Kopenhagë të Danimarkës, udhëheqësit evropianë, përfshirë nga Kosova, do të takohen sot për samitin e shtatë të Komunitetit Politik Evropian.
Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Samiti mbledh 45 udhëheqës, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Udhëheqësit do të fokusohen se si të forcohet Ukraina, në situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe për një situatë më të sigurt gjeopolitike me të cilën përballemi”, tha Bashkimi Evropian.
Sipas BE-së, gjatë samitit do të mbahen disa tryeza diskutimesh për disa aspekte të situatës së sigurisë në Evropë përfshirë “kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin”.
BE-ja në këtë takim do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe takimi do të bashkëudhëhiqet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Nga Presidenca e Kosovës thanë se Komuniteti Politik Evropian synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.
Komuniteti Politik Evropian rrallë vendos për çështje, por duke pasur parasysh se krerët shtetërore të kontinentit – përjashtim bëjnë ata nga Bjellorusia, Rusia dhe Vatikani – do të mblidhen me një vend për gjashtë apo shtatë orë për takime politike, nga kjo ngjarje mund të dalin përfundime interesante.
Përveç sesionit të Komunitetit Politik Evropian dhe kohës për takime dypalëshe, udhëheqësit do të ndahen në tri gupe punuese për tema që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rezistencën: Kërcënimet tradicionale dhe të reja; Siguria Ekonomike: Reduktimi i varësive evropiane; dhe Migracioni: Kontrolli Efektiv i Flukseve Migratore.
Komuniteti Politik Evropian lansua më 2022, si ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, si një lloj forumi ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Evropës.
Në samitin e parë të mbajtur në tetor të vitit 2022 në Pragë, Macron e hodhi poshtë idenë se ky komunitet është një lloj zëvendësimi për anëtarësimin në BE, duke ia kujtuar këtë udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor.
Nga Ballkani Perëndimor, vetëm Kosova qëndron e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, Shqipëria dhe Mali i Zi janë shtetet që kanë bërë përparimin më të madh në rrugën drejt bllokut evropian. Tirana synon që të bëhet pjesë e BE-së deri më 2030. /rel
Top Channel