Propozimi i Trump për Gazën, ministri i Jashtëm egjiptian: Po punojmë për të bindur Hamasin që të pranojë planin e presidentit

02/10/2025 20:20

Kajro po punon me Katarin dhe Turqinë për të bindur Hamasin që të pranojë planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, tha të martën Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelati.

“Po takohemi me ta. Po koordinohemi me vëllezërit tanë në Katar dhe gjithashtu me kolegët tanë në Turqi, për të bindur Hamasin që t’i përgjigjet pozitivisht këtij plani”, tha Abdelati në një fjalim në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Më parë këtë javë, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan 20-pikësh që kërkon një armëpushim, një shkëmbim pengjesh të mbajtura nga Hamasi me të burgosur palestinezë në Izrael, një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, çarmatimin e Hamasit dhe formimin e një qeverie kalimtare të mbikëqyrur nga një organ ndërkombëtar.

Abdelati vuri në dukje se ndërsa ai mbështeti propozimin e Trump për Gazën, do të nevojiteshin diskutime të mëtejshme mbi zbatimin e tij.

“Ka shumë boshllëqe që duhet të mbyllen, na duhen më shumë diskutime se si ta zbatojmë atë, veçanërisht në dy çështje të rëndësishme, qeverisjen dhe sigurinë. Ne mbështesim planin e Trump dhe vizionin e tij për t’i dhënë fund luftës, dhe duhet të bëjmë hapa përpara”, shtoi ai.

Ministri egjiptian theksoi se vendi i tij nuk do të lejojë zhvendosjen e banorëve të Gazës në asnjë rrethanë.

“Zhvendosja nuk do të ndodhë, sepse zhvendosja do të thotë fundi i luftës palestineze. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë, në asnjë rrethanë”, theksoi ai.

Top Channel