
Rivendosja e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit është një veprim i paligjshëm, i nxitur nga fuqitë evropiane që kanë përshkallëzuar krizën mbi programin bërthamor të vendit, tha Rusia të hënën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha se rivendosja e sanksioneve ishte rezultat i “manipulimit” nga Britania, Gjermania dhe Franca.
“Prandaj, rezultatet… janë ligjërisht të pavlefshme dhe nuk mund të vendosin asnjë detyrim ligjor mbi shtetet e tjera”, tha Zakharova në një konferencë për shtyp.
Kombet e Bashkuara rivendosën sanksionet ndaj Iranit për programin e tij bërthamor më 27 shtator, pasi u aktivizua mekanizmi i “rikthimit”, i nxitur nga tre vendet europiane.
Iranit do t’i rivendoset një embargo armësh dhe një ndalim për blerjen e teknologjisë për programin e tij të raketave balistike. Sektorët e naftës dhe shërbimeve financiare të Iranit janë gjithashtu në shënjestër.
Teherani, i cili mohon çdo qëllim për të ndërtuar armë bërthamore, ka paralajmëruar për hakmarrje të ashpër.
Rusia ka lidhje të ngushta me Iranin, mbështet të drejtën e tij për energji bërthamore paqësore dhe ka dënuar bombardimet izraelite dhe amerikane të objekteve bërthamore iraniane në qershor.
Top Channel