
Autoritetet franceze kanë ndërhyrë në një cisternë nafte që i përket të ashtuquajturës “flotë fantazmë” ruse, e dyshuar për përfshirje në incidente me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës.
Anija, me gjatësi 244 metra, është ndalur prej disa ditësh në brigjet e Saint-Nazaire, në Oqeanin Atlantik. Dy persona janë arrestuar, kapiteni dhe zëvendësi i tij.
Cisterna me emrin “Pushpa” ose “Boracay”, që lundron nën flamurin e Beninit, është pjesë e flotës që Rusia përdor për të transportuar naftë duke anashkaluar sanksionet perëndimore.
“Kjo flotë përfaqëson dhjetëra miliarda euro për buxhetin rus. Sipas vlerësimeve tona, ajo financon 40% të përpjekjeve ushtarake të Rusisë. Janë rreth 600 deri në 1,000 anije që transportojnë hidrokarbure ruse edhe kur janë të ndaluara,” deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një samiti evropian në Kopenhagen.
Anija kishte nisur lundrimin nga porti Primorsk, pranë Shën Petersburgut, më 20 shtator dhe ishte planifikuar të mbërrinte në Vadinar të Indisë një muaj më pas. Por, ajo bëri një devijim të pazakontë dhe qëndroi e ankoruar për disa ditë pranë parkut në Saint-Nazaire, sipas faqes Marine Traffic.
Autoritetet franceze dyshojnë se cisterna mund të jetë e lidhur me incidentet e fundit të dronëve mbi Danimarkë, të cilat çuan në pezullimin e fluturimeve ajrore në fund të shtatorit.
Prokurori i Brestit, Stéphane Kellenberger, tha se hetimet paraprake ndaj dy të arrestuarve lidhen me “shkelje detare”, përkatësisht “mospërputhje në dokumentacionin e flamurit të anijes” dhe “mosbindje ndaj autoriteteve”, vepra që mund të dënohen me deri në një vit burg dhe 150 mijë euro gjobë.
Presidenti Macron e quajti ndërhyrjen një “operacion shumë të rëndësishëm” të marinës franceze, duke theksuar se “ekipet e ndërhyrjes vepruan menjëherë për shkak të gabimeve shumë serioze të ekuipazhit”, çka justifikon ndjekjen penale.
Ndërkohë, origjina e dronëve që kanë shkelur hapësirën ajrore daneze ende mbetet e paqartë, por autoritetet e atjeshme nuk kanë ngurruar të akuzojnë Rusinë. Ajo është gjithashtu e dyshuar për një seri dronësh që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë në fillim të shtatorit, si dhe për hyrjen e tre avionëve luftarakë në hapësirën ajrore të Estonisë pak ditë më pas.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, bëri thirrje për një “përgjigje shumë të fortë ndaj luftës hibride të Rusisë”, gjatë hapjes së samitit të BE-së në Kopenhagen. Macron shtoi: “Kushdo që shkel hapësirën ajrore evropiane, do të përballet me pasoja.” Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për “pajisje ushtarake më të avancuara në nivel evropian” dhe për “sisteme shumë efektive të paralajmërimit të hershëm” kundër dronëve.
“Sot ndodhemi përballë një konfrontimi të drejtpërdrejtë me një Rusi gjithnjë e më agresive, që ka intensifikuar sulmet kibernetike, ka nisur një luftë agresioni në Ukrainë, përdor kërcënimin bërthamor dhe tani provokon në hapësirat ajrore,” përfundoi Macron.
Top Channel