Një avion pasagjerësh që udhëtonte nga Mbretëria e Bashkuar drejt Egjiptit është detyruar të devijojë dhe të bëjë ulje emergjente në Kretë, për shkak të sjelljes së çuditshme të një pasagjereje britanike 38-vjeçare.

Gruaja, e cila udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijën e saj të vogël, raportohet se ishte në gjendje të dehur. Ajo refuzoi të zbatonte udhëzimet e ekuipazhit dhe u bë agresive, duke e vënë në rrezik sigurinë e fluturimit.

Për këtë arsye, kapiteni kërkoi devijimin e avionit dhe u ul në aeroportin e Heraklionit, ku policia greke e arrestoi pasagjeren sapo u hapën dyert e aeroplanit. Në vend të mbërrinte në Egjipt për pushime, ajo përfundoi në paraburgim dhe pritet të përballet me akuzat për sjellje të rrezikshme në bord.

Udhëtarë të tjerë e përshkruan gruan si “jashtë kontrollit”. Kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se raste të tilla janë në rritje dhe sjellin pasoja serioze, rrezik për pasagjerët, vonesa të gjata dhe kosto të mëdha financiare.

Vetëm këtë javë, një fluturim i Ryanair nga Londra për në Alicante u detyrua të ulej në Tuluzë, pasi një pasagjer britanik u përpoq të hapte daljen emergjente. Ndërsa muajin e kaluar, një fluturim nga Mançesteri për në Ibiza u vonua pasi një pasagjer i dehur refuzoi të vendoste rripin e sigurimit dhe u nxor zvarrë nga policia, mes brohoritjeve të udhëtarëve të irrituar.

Top Channel