Skandal në policinë e Londrës, gazetari i BBC infiltrohet dhe zbulon sjellje të papërshtatshme nga oficerët

01/10/2025 20:23

Një hetim i fshehtë shtatëmujor i realizuar nga BBC Panorama ka zbuluar sjellje të papërshtatshme, abuzive dhe diskriminuese nga oficerë të Policisë Metropolitane në stacionin e paraburgimit në Charing Cross, Londër.

Gazetari i infiltruar i BBC-së, punoi si punonjës civil në dhomën e paraburgimit dhe përmes filmimeve të fshehta dokumentoi një kulturë të theksuar të misogjinisë, racizmit dhe dhunës së panevojshme.

Një nga figurat kyçe në hetim ishte rreshteri, Joe McIlvenny, me gati 20 vite përvojë në Polici, i cili u filmua duke bërë komente seksiste dhe shumë të papërshtatshme, përfshirë për jetën e tij seksuale dhe trupin e grave. Ai gjithashtu u tregua shpërfillës ndaj një rasti të dhunës në familje dhe përdhunimit të pretenduar ndaj një gruaje shtatzënë, duke e minimizuar ngjarjen.

Pavarësisht rolit të tij si autoritar që merr vendime kritike mbi lirinë apo ndalimin e të dyshuarve, rreshteri shfaqte një mungesë serioze profesionalizmi dhe ndjeshmërie ndaj rasteve të dhunës ndaj grave. Ai u hetua edhe për një incident tjetër, ku dyshohet se i kishte bërë komente raciste një gruaje aziatike në paraburgim.

Në një sërë rastesh, oficerët përshkruan me krenari situata ku përdorën forcë ndaj të paraburgosurve. Polici Martin Borg tregoi sesi rreshteri Steve Stamp kishte shkelur me çizme këmbën e një të dyshuari gjatë ndalimit. Pamjet nga CCTV e konfirmuan dhunën, megjithëse nuk ishte e qartë nëse kishte provokim nga i ndaluari. Polici Borg qeshi ndërsa tregonte sesi kishte ofruar të shkruante një deklaratë të rreme për të mbrojtur rreshterin.

Gjithashtu, një tjetër oficer përshkroi sesi përdorte qëllimisht teknikën e tërheqjes së gishtave për të dëmtuar të ndaluarit që refuzonin të jepnin gjurmët e tyre. Një tjetër përshkroi një incident ku kishte qëlluar me grushta një të ndaluar në pjesën e pasme të këmbëve. Të gjitha këto dëshmi tregojnë një tolerancë të rrezikshme ndaj dhunës dhe një mungesë totale etike.

Oficerët, sidomos gjatë momenteve jashtë detyrës, shprehën hapur pikëpamje raciste dhe islamofobe. Myslimanët, emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika, dhe sidomos azilkërkuesit, u quajtën “llum”, “pushtues” dhe “shumë të shëmtuar”. Polici Phil Neilson tha se një emigrant duhej “të qëllohej në kokë” dhe ata që kryejnë përdhunime duhet të dëmtohen fizikisht në mënyrë barbare.

Këto deklarata u bënë në mënyrë të përsëritur dhe pa ndonjë ndjenjë frike për pasojat. Edhe pse disa oficerë përpiqeshin të fshehnin pikëpamjet e tyre në prani të të panjohurve, shumë prej tyre e konsideronin këtë thjesht si pjesë të “maskës” që duhej mbajtur derisa të kuptoheshe se me kë mund të flisje lirshëm.

Pas marrjes së provave nga Panorama, Policia Metropolitane pezulloi tetë oficerë dhe një punonjës civil, ndërsa dy të tjerë u hoqën nga detyrat e tyre të kontaktit me publikun. Komisioneri i Metropolitane, Sir Mark Rowley, e cilësoi sjelljen e kapur në pamje si “të turpshme, të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe standardet e policisë”.

Ai konfirmoi se i kishte dërguar rastet për hetim në Zyrën e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC) dhe se forca kishte ndërmarrë “veprime të menjëhershme dhe të pashembullta”. Stacioni i paraburgimit në Charing Cross është shpërbërë dhe është në hetim të thelluar.

Ish-shefja e policisë, Sue Fish, e cila më parë ka përjetuar sulme seksuale nga kolegët, tha se pamjet e Panorama tregojnë një kulturë të përhapur toksike, ku dominon sjellja mashkullore hiperseksualizuar, racizmi dhe një mungesë e plotë e ndjeshmërisë ndaj grave dhe minoriteteve. Ajo kritikoi udhëheqjen e Metropolitane për dështimin në adresimin e këtyre problemeve në rrënjë.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Dominic Grieve, tha se ishte i tronditur nga mungesa e disiplinës dhe standardeve morale nga njerëzit që duhet të jenë shembull. Ai theksoi se kjo lloj sjelljeje minon themelet e “policimit me pëlqim” dhe dëmton seriozisht marrëdhënien e besimit mes policisë dhe publikut.

Stacioni Charing Cross ka qenë më parë objekt hetimi për sjellje diskriminuese dhe seksiste, por megjithatë, sjellje të tilla vazhduan edhe pas premtimeve për reformë. Këto zbulime vijnë pas vrasjes së Sarah Everard në vitin 2021 nga një oficer i Policisë Metropolitane, që tronditi besimin e publikut dhe nxiti një shqyrtim të thellë të kulturës brenda forcës.

Në raportin e Baroneshës Louise Casey, Metropolitane u cilësua si institucionale mizogjine, raciste dhe homofobe. Ndërkohë që komisioneri Rowley ka premtuar reforma, shumë ekspertë besojnë se problemet janë sistemike dhe kërkojnë masa të thella strukturore, jo vetëm pezullime të izoluara.

 

Top Channel