
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump u ka dhënë urdhër gjeneralëve të mbrojnë Amerikën nga ‘lufta nga brenda’.
Trump i prezantoi të martën gjeneralëve të lartë të ushtrisë planet e tij kontraverse për të dërguar trupa federale në qytetet amerikane që ai i konsideron “të rrezikshme”, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë “nën pushtim nga brenda”.
Në një fjalim para oficerëve të lartë ushtarakë në Bazën e Korpusit të Marinës në Quantico, Virxhinia, Trump u shpreh se detyra e ushtrisë nuk është vetëm mbrojtja nga kërcënimet e jashtme, por edhe lufta kundër “armikut të brendshëm” brenda vendit.
“Është një luftë nga brenda. Ne jemi nën pushtim nga brenda,” tha presidenti, duke iu referuar situatës në qytetet kryesore të drejtuara nga demokratët si Nju Jorku, Çikago dhe San Francisko, të cilat i përshkroi si “në gjendje të keqe”.
Trump kërcënoi se do t’i “rregullojë një nga një” këto qytete dhe përmendi se kishte propozuar përdorimin e tyre si “baza stërvitore” për Gardën Kombëtare.
Kjo deklaratë vjen pas urdhrit të tij për dërgimin e trupave federale në Portland, Oregon, një vendim që u kundërshtua ashpër nga kryetari i bashkisë dhe guvernatorja e këtij shteti, të dy demokratë, të cilët nuk kishin kërkuar praninë e forcave federale.
Trump përmendi telefonatën e tij me guvernatoren Tina Kotek, duke thënë se qyteti “po digjet” dhe se ai do të kontrollonte situatën, pavarësisht kundërshtimeve lokale.
Në fjalimin e tij, Trump iu referua edhe thirrjeve për të luftuar atë që e quajti “kultura e zgjuar” në ushtri, por reagimi i gjeneralëve ishte i matur dhe pa entuziazëm, sidomos kur presidenti fliste për dërgimin e trupave në qytete si Çikago dhe Portland.
Atmosfera në sallë ishte e pazakontë për Trumpin, i cili zakonisht mbështetet në audienca më entuziaste. Ai vetë e vuri re heshtjen dhe tha me shaka: “Nuk kam qenë kurrë në një dhomë kaq të qetë më parë”, shkruan media amerikane ABC News.
Top Channel