
Autoritetet peruanë kanë arrestuar organizatorin e dyshuar të një krimi të rëndë që tronditi Argjentinën dhe opinionin publik ndërkombëtar: vrasjen brutale të tre vajzave të reja, një akt që u transmetua drejtpërdrejt në një grup të mbyllur në rrjete sociale.
Lajmin e bëri të ditur qeveria argjentinase, duke konfirmuar se numri i përgjithshëm i të arrestuarve për këtë rast ka shkuar në nëntë. Ministrja e Sigurisë së Argjentinës, Patricia Bullrich, përmes një deklarate në rrjetin social X (ish-Twitter), përgëzoi autoritetet peruane për bashkëpunimin dhe kapjen e dy të dyshuarve.
“Dua të përgëzoj Policinë Kombëtare të Perusë për punën dhe bashkëpunimin e tyre të jashtëzakonshëm në kapjen e dy të arratisurve nga vrasja e trefishtë,” shkroi Bullrich.
I dyshuari kryesor, i identifikuar me nofkën “J i vogël”, një shtetas peruan në të 20-at, u arrestua në qytetin bregdetar Pucusana, rreth 72 kilometra në jug të kryeqytetit Lima. Ai besohet të jetë organizatori dhe kreu i një rrjeti trafikimi droge që operonte në lagjen Zavaleta të Buenos Airesit.
Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, Matias Ozorio, rreth 23 vjeç, i konsideruar “krahu i djathtë” i J-së së vogël, ishte arrestuar më herët në Peru.
Trupat e Morena Verdi dhe Brenda del Castillo, të dyja 20 vjeçe, dhe të kushërirës së tyre Lara Gutierrez, vetëm 15 vjeçe, u gjetën të varrosura në oborrin e një shtëpie në periferi të Buenos Airesit, pesë ditë pas zhdukjes së tyre më 19 shtator.
Sipas Ministrit të Sigurisë së Buenos Airesit, Javier Alonso, viktimat u torturuan dhe u vranë në mënyrë makabre, ndërsa pamjet e krimit u shpërndanë në një grup të mbyllur me 45 përdorues në rrjetet sociale, si një “paralajmërim” për një vjedhje të dyshuar të lëndës narkotike.
Hetimet po zhvillohen në koordinim mes autoriteteve të Argjentinës dhe Perusë, ndërsa autoritetet argjentinase janë duke përgatitur kërkesën për ekstradimin e të dyshuarve.
Top Channel