“Nuk pati një gjyq të drejtë”/ Avokati i Babis Anagnostopoulos kërkon apel për dënimin me burgim të përjetshëm pas vrasjes makabre të partneres

01/10/2025 11:26

Avokati i Babis Anagnostopoulos ka deklaruar publikisht se do të apelojë vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me vrasjen makabre të bashkëshortes së tij, Caroline Crouch, në Glyka Nera, një ngjarje që tronditi Greqinë dhe opinionin publik ndërkombëtar.

Gjykata e Apelit vendosi të mbajë në fuqi dënimin e dhënë më parë në shkallën e parë: burgim të përjetshëm, 11 vite e 6 muaj burg shtesë dhe një gjobë totale prej 21,000 euro. Megjithatë, avokati i Anagnostopoulos argumenton se klienti i tij nuk ka pasur një proces të drejtë.

“Secili ka të drejtë për një gjyq të drejtë. Duhet të ketë një gjyq ku të dëgjohet ajo që nuk u dëgjua më parë,” u shpreh ai për televizionin grek ANT1. Sipas avokatit, pas vrasjes, ka detaje që nuk janë shqyrtuar me vëmendjen e duhur dhe se vetë Anagnostopoulos nuk ka pasur mundësi të mbrohet siç duhet në gjykatën e mëparshme.

Ai pretendon se klienti i tij “u dërgua në burg në mungesë dhe për një periudhë kishte dy avokatë pa dijeninë e tij”, çka sipas tij përbën bazë ligjore për të kërkuar një rigjykim.

Megjithatë, avokati pranon se për të shkuar përpara me apelin, fillimisht “peticioni duhet të pranohet nga gjykata”.

Avokati foli edhe për jetën aktuale të Anagnostopoulos në burg, duke thënë se ai “punon si mbikëqyrës në departamentin e kontabilitetit” dhe është i izoluar nga e bija, Lidia.

“Nuk ka asnjë kontakt me fëmijën. Ajo u dërgua me forcë në Filipine dhe as gjyshërit e tij nuk arritën ta marrin. E di që ia kanë ndryshuar mbiemrin,” tha ai.

Në fund, ai përshkroi gjendjen psikologjike të klientit të tij si të pashpresë: “Ai është një njeri që e ka kuptuar se jeta e tij ka mbaruar. Nuk ka asgjë për të. Është tokë e djegur.”

Top Channel