“Nuk mund të punoj 13 orë në ditë”/ Orët shtesë të punës, grevë e përgjithshme në Greqi

01/10/2025 09:16

Greqia është paralizuar sot nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, e shpallur nga sindikatat më të mëdha, GSEE dhe ADEDY, të cilat kundërshtojnë ligjin e ri të punës.

Në protestë marrin pjesë punonjësit e sektorit privat dhe publik, personeli shëndetësor dhe urgjencat, mësuesit, por edhe punonjësit e gjykatave, raporton për Top Channel Aleksandër Marku.

Gjithashtu prej orëve të para të mëngjesit nuk kanë lëvizur trenat dhe taksitë, ndërsa anijet mbetën të ankoruara në porte. Transporti urban funksionon me kufizime, ashtu edhe metroja, trami dhe treni elektrik. Fluturimet ndërkohë nuk janë anuluar , pas vendimit të gjykatës që shpalli të paligjshme grevën e kontrollorëve të trafikut ajror.

Në Athinë, sindikatat GSEE(sektori privat)dhe ADEDY(sektori publik) zhvillojnë marshime  proteste në sheshin Klafthmonos, ndërsa sindikata PAME që mbështetet nga Partia Komuniste , u mblodh më herët tek sheshi në  Propylaia të kryeqytetit grek. Sindikata e ndërtuesve dhe punëtorë nga degë të ndryshme kanë marshuar duke hedhur parulla si: “Na duan të jetojmë vetëm për të punuar, por kjo nuk do të kalojë”.

Tubume proteste po zhvillohen paralelisht në mbi 70 qytete në gjithë Greqinë. Punëtorët dhe përfaqësuesit e sindikatave akuzojnë qeverinë se me ligjin e ri vendos një status “mesjetar pune”, duke rritur orarin deri në 13 orë në ditë dhe duke cenuar të drejtën e pushimit.

Ata kërkojnë anulimin e menjëhershëm të projektligjit, rikthimin e të drejtës për negociata kolektive dhe uljen e orarit javor në 37 orë e gjysmë. Në të njëjtën kohë, punonjësit e sektorit publik kërkojnë rikthimin e pagës së 13-të dhe të 14-të, si dhe rritje të pagave në kushtet e inflacionit të lartë.

Qeveria greke nga ana e saj thekson se ligji i ri nuk vendos 13-orëshin si rregull, por vetëm në raste të veçanta dhe me pagesë shtesë 40%, duke ruajtur të drejtën e pushimit. Nga ana tjetër, shumë parti opozitare që mbështesin sindikalistët paralajmërojnë se në praktikë ky ligj do të lejojë punëdhënësit për shfrytëzim dhe abuzim me oraret e punës.

Top Channel