
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar përfundimisht se Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet pa zgjedhjen e plotë të kryesisë, përfshirë këtu edhe nënkryetarin e komunitetit serb, për të cilin çështja u kontestua në institucionin më të lartë juridik të vendit.
Mëgjithatë, deri në aktgjykimin e plotë disa çështje kanë mbetur të pasqaruara.
“Ajo çfarë gjykata ka lënë mangët në këtë drejtim është çështja e procedurës dhe votimit në raport me nënkryetarët nga komunitetet. Edhe pse mund të sqarohet me aktgjykimin e plotë është tejet me rëndësi të dihet nëse nënkryetarët do të duhet të zgjidhen në pako, pra nëse do të duhet të përsëritet procesi edhe për nënkryetarin respektivisht nënkryetaren Emilija Rexhepi”, tha Eugen Cakolli, hulumtues.
Për të përmbyllur seancën konstituive të nisur më 15 prill, Gjykata Kushtetuese, në njoftimin e së martës konstatoi se deputetëve u kanë mbetur edhe 12 ditë kohë. Por, njohësit thonë se mbeti e pasqaruar edhe çështja e pasojave juridike në rast të moskonstituimit brenda këtij afati.
Në këtë pikë, sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, si pasojë më logjike shihen zgjedhjet e që janë tre opsione për këtë.
“Gjykata të njohë diskrecionin presidentes që në kuadër të kompetencave të saj për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve t’i shpallë automatikisht zgjedhjet. Opsioni i dytë është që gjykata të konstatojë që kuvendi ka dështuar për tu konstituuar që sërish i hapë rrugë presidentes për vendimmarrje dhe opsioni i tretë. Gjykata vetë të konstatojë që për shkak të dështimit për konstituimin e Kuvendit vendi shkon automatikisht në zgjedhje dhe nuk ka nevojë fare për ta shpërndarë”.
Megjithatë, nuk pritet që ky aktgjykim t’i japë epilog konstituimit të Kuvendit, pasi konsiderohet se nuk ka vullnet politik.
“Asnjëherë nuk ka qenë problem çështja e nënkryetarëve të komuniteteve, thjeshtë tani po problematizohet për motive të pastra elektorale, për shkak se jemi në një proces zgjedhor dhe duket që ka një lloj dakordimi në heshtje mes të gjitha palëve që mbase zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për ngërçin”.
Kryetari i zgjedhur, Dimal Basha më 30 gusht, e konsideroi Kuvendin si të konstituuar pa zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb. Lista Serbe e kontestoi këtë vendim të tillë, duke bërë që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme deri më 30 shtator. Të martën, Kushtetuesja nxori njoftimin për situatën e krijuar në Kuvend e shtyu masën e përkohshme deri në publikimin e plotë të aktgjykimit.
Top Channel