Kritikoi takimin e Trump me Erdogan, rrjeti televiziv turk pushon nga puna korrespondentin në Washington

01/10/2025 19:28

Korrespondenti në Washington i rrjetit televiziv turk NTV, është pushuar nga puna pasi bëri komente kritikuese për takimin mes Trump dhe Erdogan.

Rrjeti televiziv turk NTV ka pushuar nga puna korrespondentin e tij në Uashington, Hüseyin Günay, pas publikimit të një videoje të regjistruar pa dijeninë e tij, ku ai bën komente kritike për takimin mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Pamjet, të regjistruara rastësisht nga Associated Press, e tregojnë gazetarin duke folur me një koleg jashtë Shtëpisë së Bardhë. Në bisedë, ai thotë se Ankaraja “nuk mori asgjë” nga bisedimet, ndërsa ironizon se “e kuptuam të keqen”.

Ai përmend gjithashtu kushtet e vendosura nga pala amerikane mbi çështjet e CAATSA-s, avionëve F-35 dhe tregtinë me Rusinë e Kinën, kushte që, sipas tij, Turqia nuk mund t’i përmbushë.

Më tej, gazetari aludon për tensione të brendshme në qeverinë turke lidhur me pasardhësin e Erdoganit, duke përmendur emra si Hakan Fidan, Selçuk Bayraktar dhe Bilal Erdogan. Pikërisht këto deklarata shkaktuan reagime të forta në Ankara.

NTV reagoi menjëherë duke e larguar gazetarin nga detyra, ndërsa përpara shkarkimit, korrespondenti bëri një postim në rrjetin social X, ku ndau lajmin personal se ishte bërë baba, duke e quajtur “rastësi të hidhur” përplasjen me publikimin e videos.

Rrjedhja e këtij dialogu ka hapur debate të gjera në Turqi, jo vetëm për marrëdhëniet me SHBA-në, por edhe për ndasitë e brendshme në pushtetin turk dhe garën e mundshme për pasardhjen e Erdoganit.

I gjithë dialogu

Gazetari: Si shkuan bisedimet?


Huseyin Günay, korrespondent i NTV në Uashington:  Shkëlqyeshëm… por nuk morëm asgjë. Morëm të keqen. Nuk morëm asgjë.

Gazetari: Jo, thonë se e kuptuam.

Huseyin Günay: ” Po, e kuptuam, por e kuptuam…o. Ata folën për CAATSA-n, F-35-ën, por vendosën kushte. Si p.sh. nëse palestinezët dëbohen nga vendet e tyre, Turqia duhet t’i marrë. Ai gjithashtu i tha të ndalonte blerjen e gazit natyror nga Rusia dhe të mos tregtonte me Kinën dhe të mos transferonte para në Palestinë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë nga këto.”

Gazetari:  Epo, me këtë, Erdogan do të vdesë (politikisht)!

Huseyin Günay:  Por në këtë kohë po flasin për epokën pas tij.

Gazetari: A është kamera juaj ndezur?

Huseyin Günay:  Jo… ndizet… nëse klikoj vetëm mbi këtë… Brenda (në Ankara) ata tashmë po ushtrojnë shumë presion mbi Hakan Fidanin. Tani që me deklaratën e tij informacioni për motorët e avionëve i shpëtoi… askush nuk e dinte. Burri papritmas hodhi një bombë. E bëri me qëllim. Ai po luan me Albayrak. Domethënë, ai po luan me dhëndrin. Atje brenda po zhvillohet një luftë e madhe midis Fidanit, dhëndrit, dhe Bilalit (red. djalit të Erdoganit). Këto tre grupe po vrasin njëri-tjetrin.

Top Channel