
Një aeroplan i Forcës Ajrore ushtarake u rrëzua brenda parkut kombëtar të Circeo-s në Komunën e Sabaudia-s, në provincën e Latina-s në Itali.
Avioni, i zhdukur nga radarët, u gjurmua me mbështetjen e një helikopteri të zjarrfikësve dhe një të Forcës Ajrore ushtarake. Në bord ndodheshin dy persona, të dy të vdekur në përplasjen fatale. Njëri nga pilotët ishte koloneli Simone Mettini, 48 vjeç, tjetri ishte një nxënës, Lorenzo Nucheli. Pas aksidentit të rëndë u anulua fluturimi i “Frecce Tricolori” i parashikuar sot në orën 13 në Milano. Iniciativa bënte pjesë në programin e festimeve për 100-vjetorin e pranisë së Forcës Ajrore Ushtarake në qytet.
“Ishte në mision stërvitor”
Avioni i përfshirë në aksident është T-260B i 70-të Stormo i Latina-s, siç njofton Forca Ajrore Ushtarake në një komunikatë ku theksohet se avioni ishte “në fluturim në kuadër të një misioni stërvitor, u rrëzua në tokë, për shkaqe për momentin të panjohura, në një zonë pranë Parkut Kombëtar të Circeo-s. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë skuadrat e shpëtimit”.
Ngushëllimet e Mattarella-s dhe Meloni-t
Pika e përplasjes duket të ketë qenë në lartësinë e Cerasella-s, pranë Migliara 49. Verifikimet dhe hetimet mbi shkaqet e përplasjes janë tashmë në zhvillim. Mesazhin e tij të ngushëllimit për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes, Luciano Portolano, e dërgoi presidenti i Republikës Sergio Mattarella:
“E mora vesh me tronditje të thellë dhe me emocion të sinqertë për aksidentin tragjik ku humbën jetën dy ushtarakë të Forcës Ajrore Ushtarake ndërsa ishin të angazhuar në aktivitete fluturimi në kuadër të një misioni stërvitor. Në këtë rrethanë të hidhur, ju lutem të përcillni tek familjarët dhe tek Forcat e Armatosura ndjenjat e mia të ngushëllimit, solidaritetit dhe pjesëmarrjes së thellë në dhimbje”.
Sapo u mësua lajmi, mbërriti gjithashtu mesazhi në X i kryeministres Giorgia Meloni:
“Shpreh ngushëllime të thella për aksidentin e ndodhur me një avion të Forcës Ajrore ushtarake pranë Parkut Kombëtar të Circeo-s. Afërsia ime dhe e qeverisë me familjet e viktimave, me Forcën Ajrore ushtarake dhe me gjithë Mbrojtjen”.
Avioni duket se u përfshi nga flakët pas përplasjes
Sipas verifikimeve të para, avioni, një SF 260 me helikë në përdorim të Akademisë ajrore, u përfshi nga flakët pas përplasjes së ndodhur në një zonë brenda pyllit të Sabaudia-s. Zjarrfikësit hapën rrugën duke prerë pemët për të arritur në zonën e përplasjes. Në shenjë ngushëllimi, u anulua fluturimi i “Frecce Tricolori” mbi qytetin e Milanos.
Top Channel