“Emergjencë bërthamore në Ukrainë”/ Zelensky paralajmëron për rrezik pas ndërprerjes më të gjatë të energjisë në centralin e Zaporizhzhias

01/10/2025 09:41

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për një situatë kritike në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse dhe është shkëputur nga rrjeti elektrik për shtatë ditë me radhë, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus.

Duke folur në mesazhin e tij të përnatshëm, Zelensky tha se bombardimet e vazhdueshme ruse po pengojnë punimet për rivendosjen e lidhjeve me rrjetin elektrik, ndërsa një prej gjeneratorëve me naftë, që furnizon centralin me energji emergjente, ka ndaluar së funksionuari.

“Kjo është dita e shtatë. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një emergjencë të tillë në centralin e Zaporizhzhias. Situata është kritike”, tha ai.

“Asnjë terrorist në botë nuk ka guxuar të bëjë me një central bërthamor atë që po bën Rusia tani.”

Edhe pse centrali nuk prodhon aktualisht energji elektrike, ai ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me energji për të ftohur reaktorët, në mënyrë që të shmanget një shkrirje fatale e karburantit bërthamor.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se po punohet me të dyja palët për të rivendosur lidhjen me rrjetin elektrik, ndërsa aktualisht centrali po mbahet në funksion falë gjeneratorëve emergjentë me naftë, të cilët janë “linja e fundit e mbrojtjes”.

“Nuk ka rrezik të menjëhershëm për sa kohë që gjeneratorët funksionojnë,” tha Grossi, “por kjo nuk është një situatë e qëndrueshme për sigurinë bërthamore.”

Aktualisht, sipas IAEA, 8 gjeneratorë janë në funksion, 9 të tjerë në gatishmëri dhe 3 janë në mirëmbajtje.

Grossi theksoi se aktiviteti ushtarak nga të dyja palët po pengon riparimet e domosdoshme në linjat e energjisë. Ai kërkoi bashkëpunim urgjent nga të dyja palët: “Asnjëra palë nuk përfiton nga një aksident bërthamor. I bëj thirrje të dyja palëve të na lejojnë të realizojmë riparimet thelbësore.”

Qeveria ruse ende nuk ka komentuar mbi situatën aktuale në central.

Zaporizhzhia, që ndodhet pranë qytetit Enerhodar përgjatë lumit Dnipro, është centrali më i madh bërthamor në Evropë, me gjashtë reaktorë, dhe ndodhet afër vijës së frontit. Të dyja palët, Ukraina dhe Rusia, akuzojnë njëra-tjetrën për sulme që rrezikojnë sigurinë bërthamore që prej vitit 2022, kur forcat ruse e pushtuan objektin.

IAEA ka mbajtur monitorë të përhershëm në centralin e Zaporizhzhias, si dhe në tre centralet e tjera bërthamore të Ukrainës.

Top Channel