E mashtruan duke i thënë se do të vizitonte gjyshen dhe…/ Droguan e dhunuan vajzën që të martohej, arrestohen dy prindërit

01/10/2025 14:49

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Rimini të Italisë, ku dy prindër janë arrestuar pasi kanë dhunuar vajzën e tyre, pasi kjo e fundit nuk pranoi të martohej.

Mediat italiane shkruajnë se çifti janë me origjinë nga Bangladeshi dhe se vajza duhej të kthehej në vendin e origjinës.

Sipas autoriteteve italiane, prindërit, nëna 42 vjeç dhe babai 55, e kishin izoluar, dhunuar dhe droguar vajzën, duke e detyruar të pranonte një martesë të organizuar në Bangladesh. Arrestimi u bë të martën në mbrëmje, me urdhër të gjyqtarit hetues Raffaele Deflorio, me kërkesë të Prokurorisë së Riminit dhe me miratim nga Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio.

E mashtruan për të udhëtuar drejt martesës së detyruar

Hetimet e karabinierëve të Riminit zbuluaan se vajza, e cila kishte mbërritur në Itali që në moshën 7-vjeçare, ishte mashtruar nga prindërit për të udhëtuar në dhjetor të vitit të kaluar drejt Bangladeshit. Ata i kishin thënë se do të vizitonin gjyshen e sëmurë, por në realitet kishin planifikuar një takim me një burrë 10 vite më të madh se ajo, me të cilin donin ta martonin me çdo kusht.

Pasi mbërriti në Daka, vajzës iu morën dokumentet dhe karta e kreditit. U mbajt nën vëzhgim të vazhdueshëm, u kërcënua, u keqtrajtua dhe u detyrua të marrë ilaçe për të nxitur shtatzëninë dhe qetësues për t’i thyer vullnetin.

Shpëtimi përmes një mikeshë dhe një qendre antidhunë

Edhe pse nën presion të jashtëzakonshëm, vajza kishte arritur të marrë fshehurazi pilula kundër shtatzënisë. Me ndihmën e një shoqeje, ajo kishte kontaktuar një qendër këshillimi për shëndetin e grave dhe më pas një qendër antidhunë, e cila e vuri në kontakt me karabinierët dhe Prokurorinë në Itali.

Për shkak të vështirësive për të mbetur shtatzënë, prindërit kishin pranuar të ktheheshin për një periudhë në Itali. Në prill të këtij viti, sapo zbarkoi në Aeroportin e Bolonjës së bashku me prindërit, vajza u mor menjëherë në mbrojtje nga karabinierët dhe u dërgua në një vend të sigurt.

Prindërit e saj u arrestuan në banesën ku jetonin dhe u vendosën në arrest shtëpie. Ata ndodhen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore dhe mbrohen nga avokatja Valentina Vulpinari.

Rasti ka tronditur opinionin publik në Itali, duke rihapur debatet mbi martesat e detyruara dhe kontrollin patriarkal brenda disa komuniteteve emigrante. Autoritetet italiane theksojnë se vajza tregoi guxim dhe forcë të jashtëzakonshme për të shpëtuar vetë dhe për të denoncuar prindërit.

Top Channel