
Të hënën Donald Trump bëri njoftime në lidhje me përfundimin e luftës në Gaza, por tha edhe për një iniciativë që është e pashembullt në analet ushtarake, diplomatike dhe politike të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe botës arabe.
Si pjesë e iniciativës për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe si “kompensim” për Katarin për sulmin izraelit në Doha, presidenti amerikan nënshkroi një dekret presidencial që përmirëson në mënyrë drastike angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Katarit. Kjo është një marrëveshje sigurie e pashembullt midis Shteteve të Bashkuara dhe një vendi arab.
Sipas urdhrit presidencial, të publikuar sot, “Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë çdo sulm të armatosur kundër territorit, sovranitetit ose infrastrukturës kritike të Shtetit të Katarit si një kërcënim për paqen dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara.”
Urdhri gjithashtu thotë: “Në rast të një sulmi të tillë, Shtetet e Bashkuara do të marrin të gjitha masat e duhura dhe të ligjshme – duke përfshirë masat diplomatike, ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, ushtarake – për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të Shtetit të Katarit dhe për të rivendosur paqen dhe stabilitetin.”
Në turneun e tij të fundit në Lindjen e Mesme majin e kaluar, presidenti amerikan u largua, pas një qëndrimi 48-orësh në Doha, pasi “ngarkoi” Air Force 1 me 1.3 trilion dollarë investime direkte të Katarit në Shtetet e Bashkuara.
Top Channel