Netanyahu pranoi propozimin për paqe/ Lufta në Gaza vijon, 59 viktima nga sulmet e fundit izraelite me dron

30/09/2025 21:54

Të paktën 59 palestinezë humbën jetën sot gjatë sulmeve izraelite në gjithë Rripin e Gazës, raportoi Al Jazeera. 20 prej tyre u qëlluan teksa kërkonin ndihmë në zonat jugore dhe qendrore të enklavës së rrethuar.

Në Deir el-Balah, në Gazën qendrore, një sulm me dron izraelit vrau të paktën gjashtë persona, ndër ta një fëmijë dhe një gazetar, sipas burimeve spitalore në Spitalin e Martirëve të Al-Aksës.

Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e tij të 725-të.

Një ditë pas takimit me Presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kishte pranuar një propozim amerikan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por theksoi se nuk bëhet fjalë për krijimin e një shteti palestinez.

Netanyahu tha gjithashtu se ushtria izraelite do të “mbetet në pjesën më të madhe të Gazës” edhe pas një marrëveshjeje paqeje.

Nga ana tjetër, Trump paralajmëroi Hamasin se ka “tre ose katër ditë kohë” për të pranuar planin e tij, “përndryshe do të përjetojnë ferrin”. Por burime ekstremiste i thanë BBC-së se pranimi i propozimit amerikan është “i pamundur”.

Top Channel