Mbylli kanalin e Trump pas sulmit të 6 Janarit në Kapitol, Youtube pranon t’i paguajë 24.5 milionë USD Presidentit amerikan

30/09/2025 07:15

YouTube ka rënë dakord të paguajë 24.5 milionë dollarë për të mbyllur një padi të ngritur nga Donald Trump në vitin 2021, e cila pretendonte se platforma e kishte pezulluar gabimisht kanalin e tij pas sulmit të 6 janarit në Kapitol.

Kjo e bën kompaninë në pronësi të Google pjesë të listës së gjatë të gjigantëve të teknologjisë që kanë paguar shuma shumëmilionëshe për vendime të mëparshme ndaj llogarive të ish-presidentit.

Trump kishte paditur YouTube dhe CEO-n e Alphabet, Sundar Pichai, duke pretenduar se platforma kishte “mbledhur një përqendrim të paparë të pushtetit, pjesës së tregut dhe aftësisë për të diktuar diskursin publik të vendit tonë.” YouTube tha se kanali i Trump u pezullua sepse kishte shkelur politikat e faqes kundër nxitjes së dhunës. Me arritjen e marrëveshjes, çështja u mbyll. Google nuk komentoi menjëherë.

Lajmi vjen vetëm një javë pasi YouTube njoftoi se do të lejojë rikthimin e autorëve që më parë ishin ndaluar për përhapje të dezinformimit mbi Covid-19 dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Në njoftim, kompania tha se e mbështet zërin konservator dhe fajësoi presionin e Joe Biden për pezullimet.

Në janar, Meta (kompania mëmë e Facebook) arriti një marrëveshje të ngjashme me Trump për 25 milionë dollarë, ndërsa në shkurt, Twitter/X e zgjidhi çështjen për 10 milionë dollarë. Nga shuma e marrë nga Meta, pjesa më e madhe do të shkojë për fondin e bibliotekës presidenciale të Trump. Nga marrëveshja me YouTube, sipas dokumenteve gjyqësore në Kaliforni, Trump ka urdhëruar që 22 milionë dollarë të përdoren për restaurimin dhe ruajtjen e National Mall dhe për ndërtimin e një salle të re balloje në Shtëpinë e Bardhë, me kosto të parashikuar rreth 200 milionë dollarë.

Paditë u ngritën fillimisht nga avokati i Trump, John Coale, i cili tani është zëvendësi i të dërguarit special për Ukrainën dhe Bjellorusinë. Ai tha se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte vendimtar për këto marrëveshje: “Po të mos ishte rizgjedhur, do të ishim ende në gjykatë për 1,000 vjet.”

Coale i shkroi “The Guardian” se Trump ishte një “klient ideal”, duke shtuar: “Jam i lumtur që këto çështje të hapura që nga korriku 2021 u mbyllën me 60 milionë dollarë. Morëm para dhe, besoj, ndryshuam sjelljen e kompanive teknologjike.”
Fillimisht, çështja ndaj YouTube ishte mbyllur në 2023, ndërsa ajo ndaj Twitter ishte hedhur poshtë në 2022. Por pas fitores së Trump në zgjedhje, avokatët e tij i ringritën të treja, duke apeluar vendimet.

YouTube e kishte pezulluar kanalin e Trump më 12 janar 2021 për shtatë ditë, pasi ai postoi një video ku thoshte se fjalimi i tij para mbështetësve më 6 janar ishte “plotësisht i përshtatshëm.” Kompania tha se pezullimi u bë për shkak të “rrezikut të vazhdueshëm të dhunës” dhe më pas e zgjati pa afat.

Top Channel