Dyshohet se vendosi eksploziv në tubacionet e gazit Nord Stream, Gjermania kërkon ekstradimin e shtetasit ukrainas

30/09/2025 19:24

Gjermania ka kërkuar ekstradimin e një shtetasi ukrainas, i arrestuar në Poloni, me akuzën se ishte pjesë e grupit që vendosi eksplozivë në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 në Detin Baltik në shtator 2022.

I identifikuar si Volodymyr Z, ai përshkruhet si zhytës profesionist, i cili dyshohet se mori pjesë në sabotimin e tubacioneve pranë ishullit Bornholm.

Sipas autoriteteve gjermane, grupi përdori një jaht të marrë me qira përmes dokumenteve të falsifikuara, i nisur nga porti gjerman i Rostockut. Shpërthimet dëmtuan tre nga katër linjat kryesore të gazit që lidhin Rusinë me Evropën, duke thelluar krizën energjetike dhe tensionet gjeopolitike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Avokati i të ndaluarit, Tymoteusz Paprocki, tha se do të mbrojë klientin me argumentin se asnjë ukrainas nuk mund të mbahet përgjegjës, pasi gazi i Nord Stream-it ndihmonte financimin e luftës ruse.

Autoritetet gjermane kanë identifikuar një grup ukrainas prej 6 personash, 5 burra dhe 1 grua, si të përfshirë në operacion. Ukraina mohon çdo përfshirje dhe Presidenti Zelenskyy ka deklaruar se qeveria e tij nuk ka dijeni për ndonjë plan të tillë.

Muajin e kaluar, një tjetër ukrainas, Serhii Kuznietsov, u arrestua në Itali dhe po përgatitet për ekstradim në Gjermani për rolin e tij të dyshuar në të njëjtin sulm.

Top Channel