
Financimi i qeverisë amerikane do të ndërpritet këtë të martën, nëse Partia Republikane e presidentit Donald Trump nuk arrin një marrëveshje me demokratët për miratimin e një projekt-buxheti.
Një ndërprerje e tillë mund të çojë në mbylljen e përkohshme të disa shërbimeve qeveritare, megjithëse përplasjet për buxhetin janë të zakonshme në politikën amerikane, kriza aktuale është më e tensionuar. Presidenti Trump ka kaluar 9 muajt e fundit duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi institucionet federale, duke e thelluar ndarjen politike në Kongres.
Pse mund të ndodhë bllokimi i qeverisë?
Shkaku kryesor është mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet republikanëve dhe demokratëve për miratimin e buxhetit, i cili është i nevojshëm për të financuar shërbimet qeveritare për muajin tetor dhe më tej.
Edhe pse republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, në Senat nuk kanë shumicën e cilësuar prej 60 votash që nevojiten për miratimin e projekt-buxhetit. Kjo u jep demokratëve një avantazh, të cilin po e përdorin për të bllokuar propozimet që, sipas tyre, do të kufizonin aksesin e qytetarëve në kujdesin shëndetësor.
Demokratët theksojnë rëndësinë e kredive tatimore që ndihmojnë në përballimin e sigurimeve shëndetësore dhe kundërshtojnë shkurtimet e bëra në programin Medicaid nga administrata Trump. Ata kritikojnë gjithashtu reduktimet buxhetore për institucionet kryesore të shëndetit publik, si Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH).
Çfarë ndodh nëse nuk arrihet marrëveshje?
Nëse nuk miratohet buxheti deri më 30 shtator, qeveria federale do të mbyllet të mërkurën, më 1 tetor duke shënuar ndërprerjen e parë të punës së saj në gati 7 vite. Hera e fundit që ndodhi një bllokim i tillë ishte në fund të vitit 2018, gjatë mandatit të parë të Trump.
Për herë të parë që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump pritet të takohet me katër liderët kryesorë të Kongresit si nga radhët e republikanëve, ashtu edhe të demokratëve, për të diskutuar zgjidhjen e krizës. Megjithatë, ai nuk është optimist për arritjen e një kompromisi.
“Thjesht nuk e di se si do ta zgjidhim këtë çështje,” deklaroi presidenti.
Sa i mundshëm është bllokimi?
Aktualisht, shanset për një bllokim të pjesshëm ose të plotë të qeverisë janë të larta. Zyrtarët e administratës Trump nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike, duke besuar se opinioni publik do të fajësojë demokratët për bllokimin, siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme.
Çfarë e bën këtë krizë ndryshe nga të mëparshmet?
Ndryshe nga herët e kaluara, administrata Trump duket e gatshme të mbyllë pjesë të mëdha të qeverisë për një periudhë të gjatë. Janë dhënë sinjale se kjo mund të përdoret për të identifikuar punonjës që më pas mund të shkarkohen përgjithmonë, si pjesë e një strategjie për reduktimin e shtetit.
Në muajt e fundit, administrata ka reduktuar ndjeshëm shpenzimet dhe ka larguar një numër të madh punonjësish, duke testuar kufijtë e autoritetit presidencial.
Një bllokim i zgjatur do të ketë ndikim negativ në ekonominë amerikane. Për shembull, gjatë bllokimit 36-ditor në vitin 2019, i cili ishte më i gjati në historinë e SHBA-së, Kongresi vlerësoi se ekonomia humbi rreth 11 miliardë dollarë, nga të cilat 3 miliardë nuk u rikuperuan kurrë.
Top Channel