
Autoritetet serbe njoftuan të hënën se kishin arrestuar 11 persona në lidhje me një hetim mbi aktivitete kriminale në Francë, duke përfshirë sulme ndaj sinagogave dhe xhamive, të cilat Beogradi tha se u kryen “nën ndikimin e një agjencie të huaj”.
11 serbët e arrestuar, identitetet e të cilëve nuk u bënë të ditura, ishin të përfshirë në operacione në Francë dhe Gjermani që synonin përhapjen e “ideve që promovojnë dhe nxisin urrejtje, diskriminim dhe dhunë bazuar në dallime” në aspektin e ngjyrës së lëkurës, fesë, shtetësisë dhe origjinës kombëtare, tha ministria e brendshme në një deklaratë.
Aktet ndodhën këtë vit, nga prilli deri në shtator. Ndër të tjera, autorët hodhën bojë jeshile në Muzeun e Holokaustit, disa sinagoga dhe një restorant hebre, ngjitën afishe me përmbajtje “gjenocidale” dhe vendosën koka derri pranë xhamive myslimane – të gjitha në rajonin e Parisit. Akte të ngjashme u kryen edhe në Gjermani.
11 personat dyshohet se u trajnuan nga një person tjetër që aktualisht po i shmanget arrestimit dhe “vepruan sipas udhëzimeve të një shërbimi të huaj të inteligjencës”, shtoi ministria, pa specifikuar se në cilin vend. Ata akuzohen për formimin e një bande, diskriminim dhe spiunazh dhe do të dalin përpara një prokurori brenda 48 orëve të ardhshme.
Që nga tetori i vitit 2023, spektri i ndërhyrjes së huaj është shfaqur mbi disa hetime në Francë. Yjet e Davidit ishin gdhendur në koka derri të vendosura jashtë xhamive, dhe shumë vëzhgues ia atribuan këto përpjekje për destabilizim Rusisë.
Në rastin më të fundit, nëntë koka derri (duhet të kujtojmë se derrat konsiderohen kafshë të papastra në Islam) u gjetën në fillim të shtatorit jashtë xhamive në Paris dhe në rajonin më të gjerë të kryeqytetit francez. Shumë shpejt, hetimi çoi në gjetjen e një automjeti me targa serbe dhe një linjë telefonike kroate.
Disa serbë ishin arrestuar tashmë në Francë si pjesë e një hetimi tjetër për hedhjen e bojës së gjelbër në prill në Memorialin e Holokaustit, tre sinagoga dhe një restorant në Paris. Ata akuzohen se kanë sulmuar këto vende hebraike “me qëllim që t’u shërbejnë interesave të një fuqie të huaj”, me shumë mundësi Rusisë.
Top Channel