Takimi që mund të ndryshojë fatin e Gazës, Netanyahu dhe Trump ballë për ballë në Shtëpinë e Bardhë

29/09/2025 10:15

Vetëm pak ditë pas fjalimit sfidues në OKB ku hodhi poshtë thirrjet për armëpushim në Gaza, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet të hënën në Uashington me aleatin e tij më të fortë: Presidentin amerikan Donald Trump.

Ky takim vjen në një moment tejet delikat, ku Izraeli po përballet me izolim ndërkombëtar në rritje, kritika nga aleatët historikë dhe kërcënime për destabilizim të qeverisë së Netanyahut në vend.

Ndërkohë, edhe administrata e Trump po tregon shenja të qarta impatience, duke kërkuar një përfundim të afërt të luftës.

Në një postim në rrjetet sociale një ditë para takimit, Trump shkroi: “Kemi një mundësi të vërtetë për madhështi Lindjen e Mesme. Të gjithë janë në bord për diçka të veçantë, për herë të parë në histori. Do ta bëjmë realitet”.

Trump dhe Netanyahu pritet të takohen në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë dhe të mbajnë një konferencë për shtyp më vonë gjatë ditës.

Ekspertët e cilësojnë takimin si një nga më kritikët në marrëdhëniet disavjeçare mes dy liderëve. Sipas profesor Eytan Gilboa, specialist në marrëdhënie SHBA-Izrael: “Ky mund të jetë takimi që përcakton se si do të zhvillohen gjërat në Gaza.”

Sipas burimeve arabe të përfshira në negociata, plani i Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza përfshin:

Armëpushim të menjëhershëm;

Lirimin e të gjitha pengjeve brenda 48 orëve;

Tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza;

Shfuqizimin e Hamasit dhe çarmatimin e tij;

Krijimin e një force ndërkombëtare sigurie që do të menaxhojë rendin në Gaza;

Formimin e një komiteti palestinez teknokratësh që do të menaxhojë punët civile, me kalimin e pushtetit te një Autoritet Palestinez i reformuar.

Plani nuk përfshin dëbimin e palestinezëve nga Gaza, një ide që Trump kishte lënë të nënkuptohej më herët këtë vit.

Nëse Trump vendos të shtojë presionin ndaj Izraelit, Netanyahu pritet të kërkojë disa kushte të panegociueshme:

Asgjësimi total i Hamasit;

Garanci që ushtria izraelite të ketë të drejtë të ndërhyjë nëse Hamasi rifillon aktivitetin;

Mospërfshirje e Autoritetit Palestinez në menaxhimin e Gazës.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu konfirmoi se po punojnë me ekipin e Trump: “Shpresojmë që ta bëjmë realitet këtë marrëveshje.”

Pavarësisht mbështetjes së fortë në të kaluarën, marrëdhënia Netanyahu-Trump ka njohur momente tensioni së fundmi.

Sipas raporteve, Trump është frustruar nga sulmet e dështuara të Izraelit ndaj Hamasit në Katar, një aleat i SHBA.

Ka pasur kundërshti të hapur për planet e aneksimit të Bregut Perëndimor, të mbështetura nga partnerët e ekstremit të djathtë të Netanyahut.

Disa vëzhgues e interpretojnë këtë si përpjekje të Trump për t’u afruar me aleatët arabë, pa cenuar krejtësisht lidhjet me Netanyahun.

Gjatë javëve të fundit, 28 shtete perëndimore që dikur mbështesnin fuqishëm Izraelin, kanë kërkuar ndalimin e ofensivës në Gaza, duke përmendur katastrofën humanitare dhe urinë ekstreme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 66,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, ndërsa mbi 90% e popullsisë është zhvendosur.

Edhe në OKB, shumica e vendeve dënuan sulmin e Hamasit në vitin 2023, por më pas kritikuan reagimin izraelit dhe kërkuan armëpushim të menjëhershëm.

10 vende, përfshirë Britaninë, Francën, Kanadanë dhe Australinë, njohën zyrtarisht shtetin palestinez javën e kaluar.

Megjithëse Trump është shprehur optimist se një marrëveshje është “shumë afër”, vëzhguesit janë skeptikë.

“Sa më shumë flitet për një marrëveshje afër, aq më skeptik bëhem,” tha Aaron David Miller, ish-këshilltar i politikës së jashtme në administratat amerikane.

Top Channel