Samiti informal i BE-së, Danimarka ndalon fluturimet e dronëve civilë në të gjithë vendin

29/09/2025 10:34

“Ne do ta mbyllim hapësirën ajrore daneze për të gjitha fluturimet e dronëve civilë nga e hëna deri të premten”, njoftoi të dielën Ministria Daneze e Transportit.

Danimarka do të presë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-të mërkurën prandaj vendi ka në fokus të veçantë sigurinë, thuhet nga Ministria Daneze.

Masa erdhi si pasojë e fluturimeve misterioze të dronëve mbi Danimarkë të shfaqura në ditët e fundit. Që nga 22 shtatori, shfaqja e dronëve të paidentifikuar në Danimarkë ka çuar në mbylljen e disa aeroporteve. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i ka quajtur këto “sulme hibride”.

Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se kush është përgjegjës për incidentet. Rusia ka mohuar çdo përfshirje.

Bundeswehri do të ndihmojë Danimarkën për sigurinë e samitit

Danimarka, si Presidentja aktuale e Këshillit të BE-së, do të organizojë një samit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në Kopenhagen të mërkurën, i ndjekur nga një samit i Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Ndër temat e pritshme për diskutim do të jetë mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe forcimi i gatishmërisë së përbashkët evropiane për mbrojtje. Kancelari Friedrich Merz (CDU) gjithashtu planifikon të fluturojë për në kryeqytetin danez për të dy takimet.

Bundeswehri do të ndihmojë Danimarkën për sigurinë e samitit. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius dhe Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, kanë vendosur t’i përgjigjen një kërkese daneze për mbështetje dhe të kontribuojnë në mbrojtjen nga dronët, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Më tej NATO planifikon të vendosë edhe fregatën “Hamburg” të Marinës Gjermane, së bashku me njësi të tjera nëse është e nevojshme, si pjesë e misionit të saj “Baltic Sentry”, i cili përqendrohet në sigurimin e Detit Baltik. Bundeswehr po jep kështu një kontribut të dukshëm në sigurinë e një samiti të rëndësishëm evropian, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Fregata “Hamburg” mori pjesë në një stërvitje në Detin Baltik javën e kaluar së bashku me luftanijen amerikane “USS Bainbridge” dhe anije luftarake nga Suedia dhe Finlanda./ DW

Top Channel