
Fushata e rekrutimit në vjeshtë në ushtrinë ruse synon të sjellë rreth 135,000 të rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç, sipas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin të hënën.
Ushtarët do të duhet të paraqiten nga 1 tetori deri më 31 dhjetor për të kryer shërbimin e tyre të detyrueshëm ushtarak njëvjeçar. Rusia zhvillon dy fushata të tilla rekrutimi çdo vit, në pranverë dhe në vjeshtë.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, ushtria ruse ka këmbëngulur që rekrutët të mos vendosen në fushën e betejës kundër forcave ukrainase dhe të kryejnë vetëm detyra mbështetëse në Rusi.
Fushata e pranverës synonte të rekrutonte 160,000 burra dhe fushata e vjeshtës 133,000.
Këta rekrutë nuk kanë lidhje me më shumë se 300,000 rezervistë të dërguar për të luftuar në Ukrainë që nga vjeshta e vitit 2022, të cilët tashmë kishin kryer shërbimin e tyre ushtarak në ushtrinë ruse.
Vendosja e rekrutëve në front është një çështje veçanërisht e ndjeshme në Rusi, pas Luftës së Parë Çeçene (1994–1996), në të cilën të rinj që kryenin shërbimin e tyre ushtarak u dërguan për të luftuar dhe u plagosën ose u vranë në luftime, duke shkaktuar zemërim të brendshëm. Megjithatë, në kontekstin e luftës në Ukrainë, ka pasur raportime të përsëritura për rekrutë të gjetur në fushën e betejës.
Në gusht 2024, Kievi raportoi kapjen e rekrutëve kur nisi një sulm të papritur në rajonin rus Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën. Në vitin 2023, Rusia miratoi një ligj të ri që rrit kufirin e moshës për rekrutim nga 27 në 30 vjeç.
Top Channel