“Pse ndeze dritat e gjata”/ Zbardhet sherri që çoi në vrasjen e biznesmenit italian në Tepelenë, autori e ndoqi dhe i bëri pritë

29/09/2025 20:34

Kamber Sulçaj, është shpallur në kërkim nga policia si i dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarki.

Pas kësaj ngjarje të rëndë ku një shëtitje për gjah përfundoi në tragjedi fshihet një motiv krejtësisht banal.

48-vjeçari Sulçaj nga Mesapiku i Vlorës ka qenë duke lëvizur me makinë në të njëjtin aks më biznesmenin i cili së bashku me miqtë e tij po ktheheshin nga gjahu. Dritat e gjata të Land Roverit të italianit krijuan shqetësim tek Kamber Suçaj çka bëri që mes tyre të niste një konflikt që degradoi në ofendime mes palëve.

Pas këtij momenti 48-vjeçari ka gjurmuar makinën e biznesmenit duke i bërë pritë dhe duke hapur zjarr në drejtim të tij me një armë më vjaska . Biznesmenin Edoardo Sarki e kapi vetëm një plumb në kofshë që rezultoi fatal.

Mbi 48 vjeçarin Kamber Sulçaj rëndon akuza e “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, ” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit. Gjithashtu në këtë zonë, u gjet e hedhur në shkurre, një çantë, me sende që i përkisnin autorit.

Më tej, gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Vlorës, në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, u gjetën rreth 2 500 000 lekë dhe 450 fara kanabisi.

Pavarësisht se autori i dyshuar nuk rezulton të ketë precedent të mëparshëm penal, në zonë njihet për agresivitet dhe sjellje të dhunshme.

Top Channel