Prokuroria kërkon dënimin me vdekje për vrasësin e Charlie Kirk, 22-vjeçari pritet të dalë para gjykatës

29/09/2025 16:08

Tyler Robinson, 22 vjeç, i akuzuar për vrasjen e aktivistit Charlie Kirk, pritet të dalë në gjykatë këtë të hënën në një seancë vendimtare në qytetin Provo, Utah.

Ai dhe avokatja e tij e sapoemëruar, Kathryn Nester, do të vendosin nëse do të kërkojnë një seancë paraprake dëgjimore, ku gjykata do të shqyrtojë nëse ka prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në gjyq, apo nëse do të heqin dorë nga kjo fazë dhe të kalojnë direkt në një aktakuzë zyrtare.

Prokurorët kanë akuzuar Robinson për vrasje të rëndë dhe kanë deklaruar se do të kërkojnë dënimin me vdekje.

Sipas prokurorëve, hetimet kanë zbuluar mesazhe të rënda dhe prova të ADN-së që e lidhin drejtpërdrejt Robinsonin me vrasjen.

Mediat e huaja raportojnë se Robinson u u dorëzua vetë, së bashku me prindërit në qytetin e tij të lindjes në jugperëndim të Utahut.

Charlie Kirk, i njohur si një figurë kryesore si aktivist dhe një aleat i ngushtë i Donald Trump, kishte ndikuar fuqishëm në orientimin e votuesve të rinj drejt kauzave të djathta përmes organizatës së tij Turning Point USA. Vrasja e tij ka tronditur spektrin politik amerikan dhe ka shkaktuar reagime të forta në të djathtën republikane.

Presidenti  Trump e ka quajtur Kirk-un një martir të lirisë dhe ka bërë thirrje për masa të ashpra kundër, siç e cilësoi ai, së majtës radikale.

Pas vdekjes së Kirkut, disa individë në sektorin publik dhe privat janë përballur me masa disiplinore ose pushime nga puna për deklaratat e tyre rreth figurës së tij.

Ndërkohë, eventet përkujtimore për Kirkun do të vazhdojnë. Të martën, në një aktivitet në Universitetin Shtetëror të Utahut, do të marrin pjesë figura të shquara të Partisë Republikane, përfshirë guvernatorin Spencer Cox dhe senatorin Mike Lee.

Top Channel