Moldavia voton për Evropën, partia pro-Brukselit fiton me 50.03%. Opozita e mbështetur nga Moska bënë thirrje për protestë

29/09/2025 11:11

Ditën e djeshme në parkun përpara ndërtesës së qeverisë së Moldavisë, të moshuarit shisnin suvenire të epokës sovjetike, buste të Leninit dhe medalje të Ushtrisë së Kuqe, për një publik që shpesh fliste vetëm rusisht.

Kjo skenë simbolizon ndarjen e thellë që ende karakterizon vendin pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Moldavia u zgjua sot ende e ndarë mes dy rrugëve, të ecë drejt Evropës apo të kthehet prapa drejt ndikimit rus, por për herë të parë pas një periudhe të gjatë, drejtimi i vendit duket më i qartë.

Në këto zgjedhje, të gjithë parashikonin një betejë të fortë për formimin e Parlamentit dhe Qeverisë për katër vitet e ardhshme. Për herë të parë, Bashkimi Evropian mbështeti fuqishëm palën pro-perëndimore, ndërsa pala pro-ruse u përball me akuza serioze për përpjekje të ndërhyrjes në zgjedhje. Megjithatë, fronti pro-Evropë arriti të ruajë shumicën, duke fituar përsëri qeverinë.

Presidentja Maia Sandu, e cila fitoi zgjedhjet presidenciale njëmbëdhjetë muaj më parë dhe që prej pushtimit rus të Ukrainës është bërë një simbol i largimit nga ndikimi i Moskës, shënoi një fitore të ngushtë me partinë e saj, Veprimi dhe Solidariteti (PAS), që mori 50.03% të votave. Kundërshtari i saj kryesor, Blloku Patriotik pro-rus, arriti vetëm 24.26%.

Me një pjesëmarrje rekord prej 51.9%, qytetet e mëdha si kryeqyteti Kishinev votuan masivisht për PAS, ndërsa fshatrat dhe zonat më lindore mbështetën forcat pro-ruse. Kjo ndarje gjeografike reflekton edhe përçarjen kulturore dhe politike brenda vendit, me një konflikt të thellë mes brezave dhe identiteteve.

Në një klimë të tensionuar, udhëheqësi pro-rus Igor Dodon bëri thirrje për protesta para Parlamentit, duke mbajtur gjallë frikën për destabilizime të mundshme. Ndërkohë, votuesit moldavë jashtë vendit në qytete si Parisi, Londra, Montreal dhe Çikago kanë ndihmuar në forcimin e pozicionit pro-Evropës.

Megjithëse rezultati tregon se Europa ka mundur të ruajë ndikimin e saj në Moldavi, vendi mbetet në një pikë vendimtare, ku identiteti dhe e ardhmja e tij politike vazhdojnë të jenë në betejë të brendshme.

Moldavia vazhdon të jetë një vend strategjik në zemër të Evropës Lindore, mes influencave të përplasura, duke kërkuar ende rrugën që do të përcaktojë fatin e saj

Top Channel