
Kremlini ka paralajmëruar masa hakmarrëse pas propozimit të kancelarit gjerman Merz për përdorimin e rezervave të ngrira ruse për financimin e Ukrainës.
Një heshtje e frikshme ka ardhur nga Moska pas deklaratës së kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili për herë të parë mbështeti një plan që po merr formë, përdorimi i rezervave të ngrira të Rusisë për të financuar mbrojtjen e Ukrainës. Fillimisht bëhet fjalë për 170 miliardë euro, me synimin për të mobilizuar mbi 200 miliardë në total.
Këto fonde, të ngrira nga vendet e G7 që në fillim të luftës kundër Ukrainës, janë llogari në dollarë, euro, paund dhe jen, të bllokuara për të ndaluar aksesin e Vladimir Putinit.
Takimi i ministrave të financave të G7, i planifikuar për këtë javë, pritet të konkretizojë vendimin, i cili mund të hyjë në fuqi midis marsit dhe prillit 2026.
Megjithëse Moska nuk ka reaguar zyrtarisht, heshtja e saj shihet si paralajmërim. Kremlini pritet të ndërmarrë veprime të ashpra, konfiskimin e llogarive dhe aseteve fizike të kompanive nga vendet që marrin pjesë në këtë ndërhyrje financiare. Kjo përfshin e rreth 60 kompani italiane që operojnë ende në Rusi.
Tensionet mes Rusisë dhe Evropës janë në rritje të vazhdueshme dhe përdorimi i rezervave të ngrira do të përshkallëzonte përplasjen ekonomike mes palëve.
Në Moskë ekziston një projekt-dekret presidencial që parashikon shtetëzimin e aseteve të kompanive nga vendet “jomiqësore”. Kjo masë mund të marrë përmasa të mëdha. Në tre vitet e fundit, regjimi i Putinit ka sekuestruar ose shtetëzuar 103 kompani për arsye politike, përfshirë Danone (Francë), Carlsberg (Danimarkë), InBev (Belgjikë), Bosch (Gjermani), ExxonMobil (SHBA) dhe Ariston (Itali).
Sipas burimeve ruse, vlera totale e aseteve fizike dhe financiare të kompanive perëndimore në Rusi arrin në rreth 150 miliardë dollarë, pa përfshirë llogaritë bankare të ngrira.
Kompanitë italiane janë veçanërisht të ekspozuara pasi llogaritë bankare të tyre në Rusi vlerësohen të jenë në minimum gjysmë miliardi euro, por shifra mund të jetë edhe më e lartë.
Paradoksalisht, ndërsa lufta vazhdon, shumë kompani perëndimore kanë parë rritje të të ardhurave në Rusi, kryesisht për shkak të inflacionit dhe rritjes së konsumit të brendshëm, të nxitur nga shpenzimet ushtarake.
Që nga viti 2022, fitimet e kompanive perëndimore nuk mund të riatdhesohen. Ato transferohen në të ashtuquajturat “llogari S”, të ngritura nga Kremlini, një pasqyrë e rezervave të ngrira ruse në Perëndim. Këto llogari janë në thelb pasuri të bllokuara, të cilat Putini mund t’i përdorë si instrument presioni.
Rreth 17 mijë kompani janë larguar nga Rusia që prej nisjes së luftës. Megjithatë, shumë të tjera kanë mbetur, për arsye nga më të ndryshmet, shpresa për rikthimin e Trump, humbje të mëdha financiare nëse shesin me 80-90% ulje, apo për të ruajtur terrenin nga konkurrenca.
Evropa po përgatitet të përdorë rezervat ruse për të ndihmuar Ukrainën ndërsa Rusia përgatitet të hakmerret me sekuestrim asetesh. Asnjë nga kompanitë italiane nuk shkel sanksionet, por të gjitha janë tashmë të bllokuara, të rrezikuara dhe pa akses në kapitalin e tyre.
Nëse ky cikël hakmarrjeje nis, Rusia do të shkëputet përfundimisht nga tregjet ndërkombëtare, duke u varur gjithnjë e më shumë nga Kina. Për Perëndimin, dorëzimi ndaj këtij shantazhi do të ishte një precedent i rrezikshëm dhe një humbje më e madhe sesa fitimi i përkohshëm i disa kompanive.
Lufta financiare mes Rusisë dhe Perëndimit është realitet. Kompanitë që qëndrojnë ende në Rusi janë pengje në një betejë ku asgjë nuk është më si më parë. Politika, ekonomia dhe lufta janë tashmë të ndërthurura dhe çmimi i çdo vendimi po bëhet gjithnjë e më i lartë
Top Channel