
Mbretëria e Bashkuar mund të jetë tashmë në një gjendje lufte me Rusinë për shkak të intensitetit të sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe aktiviteteve të tjera armiqësore të orkestruara nga Moska, sipas Eliza Manningham-Buller, ish-drejtore e Shërbimit Sekret të Sigurisë Britanik (MI5).
Duke folur në një podcast me Lordin John McFall, Manningham-Buller u shpreh se ndan të njëjtin mendim me eksperten e njohur për çështjet ruse, Fiona Hill, e cila më herët këtë vit u shpreh se Rusia është tashmë në një gjendje lufte me Perëndimin.
“Mendoj se ajo mund të ketë të drejtë kur thotë se ne jemi tashmë në luftë me Rusinë. Është një lloj tjetër lufte, por armiqësia, sulmet kibernetike, sulmet fizike dhe aktivitetet e inteligjencës janë të gjera”, deklaroi ajo.
Sipas saj, situata ka ndryshuar ndjeshëm që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, me shtimin e aktiviteteve armiqësore në territorin britanik, përfshirë sabotime, spiunazh dhe sulme ndaj individëve.
Vetëm këtë vit, gjashtë shtetas bullgarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar u burgosën për përfshirje në një rrjet spiunazhi pro-rus, ndërsa pesë të tjerë u dënuan për pjesëmarrje në një sulm zjarrvënës të urdhëruar nga Moska në një depo që përmbante ndihma për Ukrainën.
Ndërkohë, ministri britanik i Zyrës së Kabinetit, Pat McFadden, ka deklaruar më herët se Rusia ka rritur ndjeshëm fushatën e saj të sulmeve kibernetike kundër institucioneve dhe bizneseve britanike.
Rritja e tensioneve është ndjerë edhe në vende të tjera të NATO-s në Evropën Lindore. Në Poloni, 19 dronë rusë të paarmatosur shkelën hapësirën ajrore të vendit gjatë këtij muaji, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e konflikteve hibride.
Manningham-Buller kujtoi gjithashtu takimin e saj me presidentin rus Vladimir Putin në vitin 2005, duke thënë se ai nuk la përshtypje pozitive. “Nuk do ta përshkruaja si një njeri të këndshëm. Nuk e parashikova që brenda një viti ai do të urdhëronte vrasjen në rrugët e Londrës të (Alexander) Litvinenkos, por mendova se ishte një njeri mjaft i pakëndshëm,” u shpreh ajo.
Litvinenko, një ish-agjent rus i FSB-së që jetonte në Londër, u helmua me polonium radioaktiv në vitin 2006, ku vdiq disa ditë më vonë. Një hetim publik më vonë përfundoi se agjentët rusë që ekzekutuan sulmin kishin vepruar me miratimin e presidentit Putin.
Ish-drejtoresha e MI5 gjithashtu kritikoi vendimet e qeverive të SHBA-së dhe Britanisë për të shkurtuar ndihmat ndërkombëtare, duke paralajmëruar se kjo lë hapësirë për ndikimin diplomatik të Kinës në vendet më të varfra.
Ajo përmendi si shembull përkushtimin amerikan ndaj trajtimit të HIV/AIDS në Afrikë, të financuar nga administrata e George Ë. Bush, për të ilustruar efektin pozitiv të ndihmës ndërkombëtare dhe fuqisë së butë perëndimore.
“Nëse tërhiqemi nga bota, ata (Kina dhe Rusia) mund të hyjnë. Fuqia e butë, qoftë nëpërmjet BBC-së, ndihmës apo çminimit, ka rëndësi të jashtëzakonshme si për ndikimin tonë ndërkombëtar ashtu edhe për aspektin humanitar”, përfundoi ajo.
Top Channel