
Pas disa muajsh mungese të gjatë dhe zërash për shëndetin e tij, kritiku i njohur i artit dhe figura e njohur e politikës italiane, Vittorio Sgarbi, është rishfaqur në publik. Rasti ishte pjesëmarrja e tij në zgjedhjet rajonale në rajonin Marche, ku ai jeton prej vitit 2017.
I shoqëruar nga partnerja e tij, Sabrina Colle, dhe avokati personal Giampaolo Cicconi, Sgarbi u paraqit në qendrën e votimit në komunën San Severino Marche, ku u prit nga kryetarja e bashkisë, Rosa Piermattei.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruajti: “Më shumë nga Marche sesa një vendas i Marche-s”, duke shoqëruar fjalët me foto nga vendvotimi.
I veshur me kostum të zi, Sgarbi, 73-vjeç, u shfaq për herë të parë pas muajsh izolimi, i shkaktuar nga një depresion i rëndë, për të cilin ai u shtrua në Spitalin Gemelli të Romës. “Ndihesha sikur isha në një tren të bllokuar në një stacion të panjohur,” ka rrëfyer ai për periudhën e vështirë që kaloi.
Megjithatë, tani thotë se është më mirë dhe se dashuria për partneren e tij ka luajtur një rol të madh në rikuperim. Madje ai ka shprehur dëshirën për t’u martuar sa më shpejt të jetë e mundur me Colle.
Në horizont, Sgarbi sheh edhe rikthimin në skenën politike. Ai është i gatshëm të marrë rolin e Këshilltarit të Kulturës në Marche, nëse kandidati i qendrës së djathtë Francesco Acquaroli fiton zgjedhjet. Aktualisht, ai është ende kryetar bashkie në Arpino (Lazio), por përballet me një proces për shkarkim për shkak se nuk i ka ushtruar funksionet.
Kohët e fundit, emri i Sgarbit ka qenë në media edhe për një çështje familjare pasi vajza e tij, Evelina, ka kërkuar caktimin e një administratori ligjor për të, për shkak të gjendjes j shëndetësore. Sgarbi e ka quajtur këtë vendim të dhimbshëm dhe pritet të dëgjohet në gjykatë në Romë më 28 tetor.
Ndërkohë, rikthimi i tij ka ngjallur një valë mesazhesh përkrahjeje dhe dashurie në rrjetet sociale. “Çfarë gëzimi të të shoh përsëri. Mungesa jote ka krijuar një boshllëk. Kemi nevojë për energjinë tënde”, shkruan një komentues.
Pas errësirës dhe sëmundjes, Vittorio Sgarbi duket gati për një kapitull të ri, me dëshirën për të dashuruar, për të shërbyer dhe për të qenë sërish zë i fortë në jetën publike italiane.
Top Channel