
Danimarka ka ndaluar përkohësisht të gjitha fluturimet civile me dronë në të gjithë territorin e saj, si masë sigurie përpara një samiti të rëndësishëm të Bashkimit Evropian që do të mbahet këtë javë në kryeqytetin danez.
Vendimi, i shpallur nga Ministria e Transportit, ka për qëllim të “thjeshtojë punën e sigurisë” për policinë dhe autoritetet e tjera gjatë një periudhe të rritur tensioni në rajon. Ndalimi është në fuqi deri më 3 tetor, dhe shkelësit përballen me gjoba apo burgim deri në dy vjet.
Masat e reja vijnë pas një sërë incidentesh me dronë të paidentifikuar, të cilët janë parë mbi baza ushtarake daneze dhe afër aeroporteve kryesore si Kopenhageni, Aalborg dhe Billund. Këto incidente çuan në mbyllje të përkohshme të aeroporteve dhe në devijime të fluturimeve.
Hetimet janë ende në vazhdim, dhe autoritetet daneze nuk kanë konfirmuar ende kush qëndron pas këtyre fluturimeve. Megjithatë, Ministri i Mbrojtjes i ka quajtur ato një “sulm hibrid” dhe pjesë të një “operacioni sistematik” të mundshëm.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar se nuk përjashton përfshirjen e Rusisë, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë. Nga ana tjetër, Moska ka mohuar çdo përfshirje, duke i quajtur akuzat “të pabazuara”.
Rusia është akuzuar më parë për ndërhyrje hibride, përfshirë sulme kibernetike dhe shkelje të hapësirave ajrore të vendeve të NATO-s.
Në përgjigje të incidentit, 10 vende anëtare të BE-së kanë rënë dakord të krijojnë një “mur me dronë”, për të përmirësuar mbrojtjen kundër fluturimeve të paautorizuara. NATO njoftoi se ka rritur vigjilencën në të gjithë rajonin e Baltikut.
Ndërkohë, shtete si Norvegjia, Rumania, Estonia dhe Polonia kanë raportuar incidente të ngjashme gjatë javëve të fundit. Rumania madje ka miratuar ligje të reja që i japin më shumë fuqi ushtrisë për të rrëzuar dronë të dyshimtë.
Top Channel