Të shtënat në kufi nga pjesa e Kosovës, Mali i Zi notë proteste në ambasadë

29/09/2025 19:55

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar sot një notë proteste Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, lidhur me të shtënat me armë zjarri që dyshohet se u erdhën nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skive, Hajlla-Shtedim, pranë kufirit mes dy vendeve.

“Nga organet kompetente të Republikës së Kosovës është kërkuar që t’i identifikojnë dhe t’i procedojnë autorët e këtyre incidenteve, si dhe të njoftojnë Malin e Zi për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së jashtmë malazeze, të parë nga REL.

Nga dikasteri i udhëhequr nga Ervin Ibrahimovic vlerësojnë se bëhet fjalë për incidente të izoluara. Janë të paktën dy raste në të cilat janë regjistruar dëmtime në infrastrukturën e qendrës së skive Hajlla-Shtedim, e cila ndodhet rreth një kilometër e gjysmë nga kufiri me Kosovën.

Për të dyja rastet në fjalë, organet kompetente malazeze dyshojnë se të shtënat kanë ardhur nga territori i Kosovës. Incidenti i parë ndodhi në korrik të vitit të kaluar, kur u vunë re dëmtime në kabinën e qendrës së skive, dhe i dyti u regjistrua më 24 gusht të këtij viti, kur pati të shtëna në drejtim të një objekti po të qendrës në fjalë.

Nota e protestës është dërguar pas incidenteve të përsëritura që janë regjistruar nga Policia në Rozhajë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së jashtme të Malit të Zi, që shton se për incidentet u njoftua më 22 shtator edhe ambasadorja e Kosovës.

Top Channel