
Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur gjatë një përplasjeje masive në një tubim politik të mbajtur nga aktori dhe politikani Vijay, në Indi.
Sipas autoriteteve vendase, viktimat përfshijnë burra, gra dhe fëmijë, ndërsa Kryeministri i shtetit jugor indian Tamil Nadu, M.K. Stalin, konfirmoi bilancin tragjik dhe njoftoi se 51 persona të tjerë po marrin trajtim mjekësor intensiv.
Turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur për të ndjekur fjalimin e Vijay-t, një nga aktorët më të njohur të kinemasë, i cili ka tërhequr mijëra mbështetës që nga futja e tij në politikë.
Shefi i policisë bëri me dije se vonesa në mbërritjen e politikanit në vendin e ngjarjes përkeqësoi situatën, pasi turma kishte pritur për orë të tëra pa ushqim dhe ujë.
“TVK fillimisht kërkoi leje për një tubim prej 10,000 personash, por turma në të vërtetë ishte më shumë se dyfishi,” tha shefi i policisë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Pamjet nga mediat lokale tregojnë momentet kur Vijay shpërndan ujë nga automjeti i fushatës dhe përpiqet të ndihmojë mbështetësit që po humbnin ndjenjat.
Aktori dhe politikani i njohur reagoi pas tragjedisë me një mesazh në platformën X, duke u shprehur i shkatërruar emocionalisht dhe duke ofruar ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
Kryeministri Stalin njoftoi kompensim financiar për familjarët e të ndjerëve dhe ngritjen e një komisioni hetimor. Kjo është ngjarja e dytë e rëndë që shoqëron tubimet e liderit të ri politik, pas një incidenti të ngjashëm në tetor 2024, ku humbën jetën gjashtë persona.
Top Channel