Ushtria daneze pikas sërish dronë në hapësirën ajrorë të Danimarkës, fluturonin mbi instalimet ushtarake

28/09/2025 13:56

Ushtria daneze njoftoi sot se disa dronë u panë përsëri duke fluturuar mbi instalimet ushtarake në Danimarkë gjatë natës për të dytën periudhë 24-orëshe radhazi.

“Forcat e armatosura konfirmojnë se dronë u vunë re në disa nga instalimet e tyre gjatë natës. Janë mobilizuar mjete të ndryshme”, tha ushtria në një njoftim për shtyp.

Deklarata nuk dha asnjë detaj rreth incidenteve apo përgjigjes së ushtrisë. Media daneze raportoi se asnjë aeroport nuk u mbyll gjatë natës.

Shfaqja misterioze e avionëve pa pilot në Danimarkë dhe Norvegji që nga 22 shtatori ka çuar në mbylljen e aeroporteve, me Kopenhagenin që lë të kuptohet për përfshirje të mundshme ruse. Dje, ushtria daneze tha se dronë me origjinë të panjohur ishin parë mbi “instalime ushtarake” gjatë natës së të premtes deri të shtunën, por nuk dha detaje.

Policia konfirmoi se “një deri në dy dronë” u panë duke fluturuar të premten në mbrëmje pranë ose mbi bazën ushtarake Karup, më e madhja e vendit, e cila strehon të gjithë helikopterët e forcave të armatosura, shërbimet e mbikëqyrjes së hapësirës ajrore dhe shkollën e pilotëve, ndër të tjera.

Kopenhageni do të presë një samit të Bashkimit Evropian të mërkurën dhe të enjten me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive.

Top Channel