
Të paktën 24 palestinezë janë vrarë këtë të diel gjatë një vale të re sulmesh nga forcat izraelite në disa zona të Rripit të Gazës, raporton Al Jazeera, duke cituar burime mjekësore lokale.
Sipas raportimeve, dy sulme ajrore goditën shtëpi civile në kampin e refugjatëve Nuseirat, duke shkaktuar të paktën 10 viktima, mes tyre gra dhe fëmijë.
Ndërkohë, në qytetin Khan Younis, një foshnjë e porsalindur humbi jetën si pasojë e kequshqyerjes – një pasojë e drejtpërdrejtë e krizës humanitare që po thellohet në territorin palestinez.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, ka deklaruar se rreth 450 persona kanë vdekur deri më tani nga uria dhe kequshqyerja, si pasojë e mungesës së ndihmës humanitare dhe kufizimeve të ashpra në furnizime.
Gjendja në spitalet e Rripit të Gazës mbetet kritike. Drejtori i Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, Muhammad Abu Salmiya, ka shprehur shqetësimin për praninë e tankeve izraelite pranë objektit, çka po pengon aksesin e ekipeve mjekësore dhe të ndihmës.
“Rreth 159 pacientë po marrin trajtim në kushte jashtëzakonisht të vështira,” – deklaroi Abu Salmiya për Al Jazeera, duke theksuar rrezikun e ndërprerjes totale të shërbimeve spitalore nëse sulmet vazhdojnë.
Burime mjekësore në Gazën qendrore thanë për Al Jazeera se të paktën tetë palestinezë u vranë gjatë natës në një tjetër valë bombardimesh izraelite në kampin e refugjatëve Nuseirat, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre civilë.
Situata mbetet kritike, me infrastruktura të shkatërruara, mungesë të energjisë, ushqimeve, ujit të pijshëm dhe kujdesit shëndetësor.
Top Channel