Princesha Beatrice humb çdo shpresë për t’u bërë pjesë e Familjes Mbretërore, emri i babait të saj del sërish në dosjet Epstein

28/09/2025 09:47

Princesha Beatrice thuhet se ka “humbur çdo shpresë” për t’u bërë një anëtare me kohë të plotë e Familjes Mbretërore, ndërsa skandalet që rrethojnë Shtëpinë e Jorkut vazhdojnë të thellohen.

Burime pranë saj thonë se vajza e madhe e Princit Andrew dhe Sarah Ferguson, do të kishte qenë e gatshme të ndihmonte në lehtësimin e ngarkesës së Mbretit Charles dhe Princit William, duke marrë pjesë në më shumë angazhime zyrtare në emër të Kurorës.

Mbreti, që vazhdon të marrë trajtim për një formë të papublikuar të kancerit, raportohet se ka qenë i impresionuar nga eleganca dhe përkushtimi i Beatrices gjatë paraqitjeve të fundit publike. Por qëndrimi i tij i prerë kundër anëtarëve “gjysmë brenda, gjysmë jashtë” të Familjes Mbretërore duket se ka mbyllur çdo derë për përfshirjen e saj më të gjerë. Dhe, sipas oborrtarëve, kjo nuk ka për të ndryshuar.

Vendimi vjen ndërsa emri i Princit Andrew u përmend sërish në dosje të reja të publikuara në SHBA, që përmbajnë mesazhe telefonike, manifestime fluturimesh dhe regjistra financiarë të përkasin pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein. Dokumentet përmendin gjithashtu figura të tjera të njohura si miliarderi Elon Musk.

Publikimi i këtyre të dhënave, bashkë me detaje të reja nga biografia Entitled e autorit Andrew Lownie, si dhe email-e komprometuese të Dukeshës së Jorkut drejtuar Epstein-it pas dënimit të tij, kanë ringjallur shqetësimet nëse është e përshtatshme që Beatrice – e nënta në radhën për fronin – të ketë një rol më të dukshëm publik.

Sipas The Mail on Sunday, oborrtarët janë të shqetësuar për zbulime të mëtejshme potencialisht shkatërruese, që mund të dalin nga “Epstein Files”, ku besohet se përfshihen mbi 100 email-e që “mund të shkatërrojnë Andrew-n”.

Një burim pranë Princeshës Beatrice ka thënë: “Ajo e dëshiron një rol si anëtare punonjëse e Familjes Mbretërore dhe do të donte të ndihmonte xhaxhain e saj. Charles thuhet se e vlerëson përkushtimin e saj… por gjithmonë ekziston frika se Andrew do të përpiqet të ‘hyjë nga dera e pasme’ përmes saj.”

Megjithatë, Beatrice është përpjekur të mbajë një profil të ekuilibruar publik. Javën që shkoi u pa në një drekë me bashkëshortin e saj, Edoardo Mapelli Mozzi, në Mayfair të Londrës, duke dhënë përshtypjen e qetësisë në publik.

Nga ana tjetër, Sarah Ferguson – nëna e Beatrices – po përballet me reagime negative pas zbulimit se në vitin 2011, pas dënimit të Epstein, ajo i kishte shkruar atij një email falënderues ku e quante “mik suprem” për ndihmën financiare. Si pasojë, tetë organizata bamirësie i kanë hequr asaj statusin e patrone ose ambasadore.

Megjithatë, sipas miqve të saj, Beatrice thuhet se preferon të angazhohet në kauzat e veta bamirëse, larg angazhimeve zyrtare mbretërore – të paktën për momentin.

Top Channel