“A i përmbush Shqipëria kërkesat e mëdha?”Gazetarja e “The Washington Post” i dedikon video udhëtimit në jug: Natyrë e papërsëritshme

28/09/2025 19:08

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e udhëtarëve ndërkombëtarë si një alternativë e denjë ndaj destinacioneve klasike mesdhetare si Italia apo Greqia.

Në një video-vlog të publikuar nga gazetarja Natalie B. Compton në “The Washington Post”, përshkruhet një udhëtim veror në vendin tonë, i cili shfaqet si një perlë ende e paprekur nga turizmi masiv, me çmime të përballueshme, natyrë mahnitëse dhe mikpritje tradicionale.

Gazetarja amerikane tregon se e nisi udhëtimin nga Kroacia dhe Mali i Zi, por Shqipëria e surprizoi më shumë se çdo vend tjetër.

Ajo vizitoi Shkodrën dhe Himarën, bëri kamping në plazhin e Livadhit dhe qëndroi në një agro-turizëm në Berat. Eksperiencat e saj përfshinin mëngjese me prodhime lokale, plazhe të qeta, ushqim të shijshëm e të lirë dhe një atmosferë që, sipas saj, nuk mund të gjendet më në vendet e mbingarkuara nga turizmi.

Në përfundim të videos, gazetarja thekson se Shqipëria nuk është thjesht një “kopje” e fqinjëve të saj mesdhetarë, por një destinacion më vete që ofron përvoja autentike, kulturë të gjallë dhe natyrë të papërsëritshme.

Kur më pyesin për Shqipërinë, nuk e krahasoj me Italinë apo Greqinë, por flas për fshatrat, liqenet dhe mëngjeset me djathë të freskët e reçel fiku,” thotë gazetarja në përfundim të videos.

Top Channel