U nisën drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë ilegale, humbin jetën dy persona

27/09/2025 13:30

Dy persona kanë humbur jetën këtë të shtunë gjatë një përpjekjeje dramatike për të kaluar Kanalin Anglez me një varkë të improvizuar, kanë konfirmuar zyrtarët francezë për agjencinë e lajmeve AFP.

Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi gjatë natës në jug të plazheve të Neufchâtel-Hardelot, në rajonin Pas-de-Calais, kur rreth 100 emigrantë u nisën me një mjet lundrues drejt Mbretërisë së Bashkuar. Gjithashtu mësohet se gjashtëdhjetë persona u shpëtuan dhe aktualisht po marrin ndihmë nga ekipet e mbrojtjes civile.

Një çift dhe fëmija i tyre, që vuante nga hipotermi e moderuar, u transportuan me urgjencë në spitalin e Boulogne-sur-Mer për trajtim mjekësor. Mediat francezë raportojnë se mes këtyre ishin edhe dy viktima të cilat ishin dy gra.

Kjo ngjarje tragjike vjen në një moment kur flukset e emigrantëve nëpërmjet Kanalit Anglez po rriten ndjeshëm. Të paktën 25 persona kanë humbur jetën vetëm këtë vit gjatë përpjekjeve për të kaluar këtë rrugë të rrezikshme. Vetëm pak javë më parë, tre persona humbën jetën pranë brigjeve të Calais.

Sipas të dhënave zyrtare, 50 persona humbën jetën gjatë vitit 2024 duke tentuar kalimin e Kanalit, ndërsa më shumë se 30,000 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla deri më tani. Që nga ardhja në pushtet e Partisë Laburiste në korrik 2024, mbi 50,000 persona kanë kaluar këtë rrugë të rrezikshme.

Qeveria britanike po përballet me presion në rritje për të menaxhuar fluksin e emigrantëve. Kohët e fundit, Francë dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje kthimi me parimin një brenda, një jashtë, me synim frenimin e kalimeve ilegale. Sipas këtij mekanizmi, për çdo emigrant të kthyer nga Britania në Francë, një person tjetër që ka një arsye të fortë për azil, por që nuk ka kaluar Kanalin, do të lejohet të vijë në Mbretëri.

Kryeministri Sir Keir Starmer e ka quajtur situatën e kalimeve të emigrantëve krejtësisht të papranueshme, ndërsa Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka denoncuar kontrabandistët si të ligë, duke thënë se ata po shkaktojnë kaos në kufijtë tanë.

Top Channel