Pas Shkodrës, një tjetër hapësirë e kthyer në pikë bllokimi e grumbullimi mjetesh po lirohet dhe u kthehet qytetarëve në Laç.

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashkë me Kryetaren e Bashkisë Kurbin, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Kryeinspektoren e AAPSK-së inspektuan nga afër aksionin për lirimin e hapësirës.

“Është një nga pikat e grumbullimit, që Policia e Shtetit ka përdorur prej vitesh për të depozituar gjithë ato mjete motorike të sekuestruara apo të konfiskuara. Pika të tilla kemi me dhjetëra të shpërndara në territor, në të gjithë vendin. Falë aksionit që kemi ndërmarrë me një sërë agjencish të MPB-së, por edhe të institucioneve të tjera, falë mbështetjes së Policisë së Shtetit dhe punës së lavdërueshme AAPSK-së, por edhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, pra një pune ndërinstitucionale, kemi filluar evidentimin, seleksionimin e gjithë këtyre mjeteve të depozituara këtu prej vitesh në një hapësirë publike.

Sikundër e shohim është një hapësirë, që është një ndotje e konsiderueshme edhe për bashkinë e Laçit, por edhe për bashkitë e tjera të vendit. Ka shumë pika të tilla, të cilat janë bërë mjedise të papërshtatshme, që prishin e ndotin ambientin, por edhe mjedise të pasigurta. Nga fillimi i këtij muaji, falë fushatës që kemi ndërmarrë bashkërisht të gjithë ne, do ta lirojmë këtë hapësirë duke ua kthyer bashkisë së Laçit, e cila jam e sigurt, që do të ketë projekte shumë të bukura për të zhvilluar në këto hapësira, projekte të cilat i kthejnë komunitetit jetësimin e tyre, energjizimin”, u shpreh Ministrja Koçiu.

”Kjo është hapësira, pronë shtet, e Komisariatit të Kurbinit. Kemi të pozicionuara 1664 makina me tipologji të ndryshme statusi. Nga këto 1100 janë për skrap. Është përfunduar i gjithë inventari i pasurive dhe shpejt fillojmë procedurat e ankandit. Është 2.6 ha tokë shtet”, informoi Kryeinspektorja e AAPSK, Risena Xhaja.

Ministrja e Punëve të Brendshme tha se aksioni nuk do të ndalet për asnjë ditë në gjithë territorin.

“Rasti më i fundit ishte ai i bashkisë së Shkodrës, ku bashkërisht i kthyem bashkisë një territor të zënë në të njëjtën mënyrë. Ata kanë një projekt shumë të bukur për ta kthyer në kënd lodrash. Do ta vijojmë këtë aksion, i cili vjen paralelisht me aksionin që IKMT dhe IMT-të janë duke kryer për lirimin e hapësirave publike të zaptuara padrejtësisht nga biznese lokale duke krijuar rrethime me gjithfarësoj mjetesh.

Ajo që jemi duke bërë aktualisht është që në të gjithë territorin do të vijojmë pa u ndalur çdo ditë, për të liruar hapësirat publike për t’ua kthyer qytetarëve e vënë në dispozicion gjithë komuniteteve lokale, për të pasur një Shqipëri të pastër, atraktive për turistët por edhe të sigurt”, deklaroi Koçiu.

Top Channel