
Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Edoardo Sarchi në Tepelenë.
Biznesmeni italian kishte dalë për gjah, kështu mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat.
44-vjeçari prej 25 vitesh jeton në lagjen “Laprak”, Tiranë, dhe është ortak në një fabrikë tullash.
Viktima ka vetëm një plagë. Policia ka shoqëruar në komisariat personat që kanë qenë me të.
Ata po merren në pyetje në lidhje me këtë vrasje, për të zbuluar më tepër detaje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Salari të Tepelenë. Sarchi ndodhej në zonën mes fshatrave Nivicë dhe Salari, së bashku me disa persona të tjerë.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale.
Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.
“Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel