Aksidenti në Shqipëri lë pas hekurave pedagogun e njohur, deputetët italianë kërkojnë nga autoritetet shqiptare kthimin në atdhe të 44-vjeçarit

27/09/2025 09:43

Një ngjarje e pazakontë pritet të kthehet në çështje ndërkombëtare. Bëhet fjalë për arrestimin në Shqipëri të pedagogut të njohur italian, Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor i biologjisë në Universitetin e L’Aquila-s.

Ai po mbahet në burgun e Fierit prej dy muajsh, pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 8 gusht në segmentin Levan–Fier.

Sipas akuzës, D’Angelo dyshohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe mosdhënie ndihme pas aksidentit. Ndërsa mbrojtja pretendon se ai po ecte me shpejtësi të ulët dhe nuk mund të shmangte përplasjen me një automjet tjetër.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta në Itali. Deputetë të parlamentit italian, përfshirë Luciano D’Alfonsën, i kanë kërkuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, që të ndërhyjë për kthimin e profesorit në atdhe.

Edhe universiteti ku ai jep mësim ka shprehur angazhimin e plotë për lirimin e tij. Ambasada italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme në Vlorë po e ndjekin nga afër çështjen, duke ofruar mbështetje ligjore dhe vizita në burg. Sipas mediave italiane, kjo situatë rrezikon të kthehet në një rast diplomatik mes Tiranës dhe Romës.

Njoftimi i Policisë – Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit të dhënë lidhur me aksidentin rrugor të ndodhur më datë 08.08.2025, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, ku mbetën të dëmtuar katër shtetas, informojmë se nga veprimet hetimore ka rezultuar se shkaku i aksidentit dyshohet të jetë ndërprerja e rrugës nga automjeti i drejtuar nga shtetasi M. A., i cili më pas është larguar nga vendngjarja.

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. A., 45 vjeç, banues në Itali, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Ndërkohë, bëhet me dije se një nga katër personat e plagosur në aksident ka ndërruar jetë disa ditë më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Sipas avokatëve ligji shqiptar parashikon që në rastet kur një aksident rrugor sjell pasoja të rënda, përfshirë edhe humbjen e jetës së një personi të mitur, drejtuesit e përfshirë në ngjarje mbahen në paraburgim deri në përfundimin e akt-ekspertimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave.

Top Channel