Zvicra hap dyert për të vegjlit, do të trajtojë në spitalet e vendit 20 fëmijë të plagosur në Rripin e Gazës

26/09/2025 15:32

Zvicra ka njoftuar se do të mirëpresë afërsisht 20 fëmijë të plagosur nga Rripi i Gazës, për t’u ofruar trajtim mjekësor të specializuar jashtë zonës së konfliktit.

Për shkak të situatës ende të paqëndrueshme në Gaza, ende nuk është përcaktuar data e saktë e transferimit, por po punohet intensivisht në koordinim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Përzgjedhja e fëmijëve do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me OBSH-në, e cila ka regjistruar mbi 19,000 pacientë për trajtim jashtë enklavës, përfshirë 4,000 fëmijë me lëndime serioze dhe sëmundje të pamundura për t’u trajtuar brenda Gaza-s.

Fëmijët dhe familjet e tyre do t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe pas mbërritjes do të ndjekin procedurat për azil. Qeveria zvicerane do të mbulojë të gjitha kostot e koordinimit dhe transportit, ndërsa trajtimet mjekësore do të mbulohen në mënyrë vullnetare nga spitalet që do t’i pranojnë.

Ky hap humanitar vjen në një kohë kur konflikti në Gaza ka shkaktuar dhimbje të madhe dhe shkatërrim, me mbi 65,000 viktima palestineze në më pak se dy vjet, që nga sulmet e dhunshme të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, që sollën një konflikt të vazhdueshëm dhe një krizë humanitare të thellë.

Zvicra, me këtë nisëm, dërgon një  shenjë shprese dhe solidariteti për të vegjlit që kanë nevojë për ndihmë urgjente dhe shërim larg luftës dhe dhunës.

Top Channel