
“Mendoj se kemi një marrëveshje” për Gazën, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
“Marrëveshja do t’i kthejë pengjet. Do të jetë një marrëveshje që do t’i japë fund luftës, do të sjellë paqe”, tha Trump në një bisedë me gazetarët, pak para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në turneun e golfit Ryder Cup në Nju Jork.
Deklaratat e Donald Trump vijnë menjëherë pas fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Mes fishkëllimave dhe largimeve nga salla, Netanyahu theksoi se “Izraeli duhet ta përfundojë punën në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur”.
🚨BREAKING: President Trump announces, "It's looking like we have a deal on Gaza" that would secure the return of the hostages and end the war. pic.twitter.com/sbEkDEupKG
— Fox News (@FoxNews) September 26, 2025
“Mbetjet e fundit të Hamasit po fshihen në Gaza”, tha Netanyahu, duke shtuar se nuk do të qetësohej derisa të ktheheshin pengjet. “Ulni armët. Lëshojini të gjithë pengjet tani… Nëse e bëni këtë, do të jetoni. Nëse jo, Izraeli do t’ju ndjekë”, tha ai, duke iu drejtuar Hamasit.
“Plani me 21 pika”
Presidenti amerikan paraqiti këtë javë një plan të ri paqeje për Gazën para udhëheqësve myslimanë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti, Jordania, Turqia, Indonezia dhe Pakistani, si dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Informacioni raportoi se “plani 21-pikësh” i paraqitur nga Trump propozon, ndër të tjera, lirimin e pengjeve të mbetura, një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje graduale të Izraelit nga i gjithë Rripi i Gazës.
Për ditën tjetër, propozimi përfshin një plan pas luftës me një mekanizëm qeverisjeje pa Hamasin, një forcë sigurie që do të përfshijë palestinezë, si dhe ushtarë nga vendet arabe dhe myslimane, dhe financim nga vendet arabe dhe myslimane për administratën e re në Gaza dhe rindërtimin e zonës. Autoriteti Palestinez, bazuar në propozim, do të ketë një formë përfshirjeje.
Top Channel