“Nuk kemi identifikuar shkelje me dronë që cenojnë sigurinë në Kosovë”/ KFOR sqaron: Po monitorojmë rregullisht hapësirën ajrore

26/09/2025 16:10

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se deri më tani nuk ka identifikuar ndonjë shkelje të hapësirës ajrore me dronë që mund të rrezikojë sigurinë në territorin e Kosovës.

Në një përgjigje për media, KFOR-i thekson se komandanti i misionit ka autoritetin e plotë mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar në vitin 1999.

“Nuk kemi identifikuar shkelje me dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë. KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore, duke përdorur të gjitha mjetet dhe kapacitetet në dispozicion”, thuhet në deklaratë.

KFOR-i shton se është thelbësore që çdo aktivitet ajror, veçanërisht pranë vijës kufitare administrative, të koordinohet siç duhet me forcat e NATO-s për të shmangur tensionet dhe për të garantuar sigurinë në rajon.

“KFOR-i vazhdon aktivitetet e përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë dhe në mënyrë të paanshme”, përfundon deklarata.

Top Channel