
Kremlini njoftoi sot se pjesa e mbetur e tubacionit të gazit natyror Nord Stream, që transporton gaz nga Rusia në Gjermani dhe që u dëmtua nga shpërthimet tre vjet më parë, mund të vihet së shpejti në funksion.
“Pjesa tjetër e linjës është ende aty dhe mund të nisë funksionimin që tani, në fakt,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për shtyp.
Sistemi Nord Stream përfshin dy tubacione binjake — Nord Stream 1 (NS1) dhe Nord Stream 2 (NS2) — që kalojnë nëpër fundin e Detit Baltik deri në Gjermani. Nga katër tubacionet në total, vetëm një prej linjave të NS2 mbeti e paprekur pas shpërthimeve të vitit 2022.
Qëndrimi i Gjermanisë dhe Akuza ndaj Rusisë
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në maj se mbajtja jashtë funksionit e Nord Stream 2 është pjesë e përpjekjeve të Perëndimit për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të përfshihet në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Nga ana tjetër, Peskov tha se Rusia shpreson që hetimi gjerman mbi shpërthimet të përfundojë sa më shpejt. Muajin e kaluar, një shtetas ukrainas u arrestua në Itali, i dyshuar për përfshirje në sulmet. Rusia ka fajësuar drejtpërdrejt Kievin, ndërsa Ukraina ka mohuar çdo përfshirje dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi zyrtare për aktet e sabotimit.
Shpërthimet ndodhën më 26 shtator 2022 dhe u cilësuan nga Moska ashtu edhe vendet perëndimore si akte sabotimi, të cilat reduktuan ndjeshëm furnizimin me gaz rus drejt Evropës.
Peskov përsëriti akuzat e Kremlinit se Shtetet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi të pjesshme për orkestrimin e sulmeve.
“Kush, le të themi, e toleroi këtë? Është e qartë se, pa dijeninë e administratës së Joe Biden, veprime të tilla nga ana e Ukrainës do të kishin qenë të pamundura,” tha Peskov. Shtetet e Bashkuara kanë mohuar çdo përfshirje në sulme.
Top Channel