
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda u prit në takim nga Drejtoresha Ekzekutive e Europolit Catherine De Bolle.
Vlerësim dhe mbështetje për Policinë shqiptare, për operacionet e kryera në kuadër të platformës EMPACT, kundër krimit të organizuar.
Proda thotë: “Policia e Shtetit shqiptar është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të thelluar akoma më shumë bashkëpunimin hetimor e operacional me partnerët, në koordinim nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese që monitorojnë dhe koordinojnë veprimet policore.”
De Bolle vlerësoi angazhimin, vendosmërinë, profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë shqiptare, gjatë operacioneve të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët, në koordinim nga Europol.
Gjatë takimit u diskutua mbi mundësinë që Europoli të drejtojë menaxhimin e operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm, si fenomen i përdorur nga grupet e krimit të organizuar, duke koordinuar operacionet dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet policive të vendeve anëtare të BE-së, përshtatja e strukturave të Policisë shqiptare me ato të policive europiane dhe mbështetja për përdorimin e produkteve analitike të Europolit, në veçanti kundër krimit kibernetik.
Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda ftoi Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, për një vizitë në Policinë e Shtetit shqiptar.
Top Channel