Hetimi për tenderat e oksigjenit/ Dyshohet se 12 persona kanë kryer shkelje për miliona euro, një administrator ankohet në kushtetuese

26/09/2025 19:44

Kur SPAK ka intensifikuar hetimet, duke dyshuar deri më tani 12 persona se kanë shkelur tenderat në fushën e shëndetësisë për çështjen e oksigjenit mjekësor, njëri nga administratorët e shoqërive nën hetim i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Bëhet fjalë për Vladimir Vladimirov, i lakuar prej 2021, kur edhe është hapur dosja në SPAK, i cili, pas kontrolleve të SPAK dhe bllokimit të telefonit, këmbëngul në Gjykatën Kushtetuese se i janë cënuar të dhënat personale.

Në këtë kërkesë, Vladimirov kërkon që Gjykata Kushtetuese të urdhërojë SPAK-un të asgjësojë komunikimet dhe të dhënat personale të përftuara nga këqyrja në telefonin e tij dhe që nuk janë objekt i hetimit.

Kërkesa e Vladimirov është e radhës këtu në Gjykatën Kushtetuese dhe vjen në kohën kur SPAK, në tre vitet e fundit, ka sekuestruar 978 telefona.

Duke kaluar në lupë tenderimet në këtë fushë, SPAK mbërriti edhe në zyrat e Vladimirov, duke urdhëruar sekuestrime që, në total vetëm për këtë fashikull, rezulton se janë kryer në disa zyra, duke shënuar në total 30 kompjuterë të bllokuar.

Në pritje të ekspertizave, gjatë javës së kaluar SPAK mori në pyetje disa punonjës, ndaj të cilëve pritet të ngrihet akuza. Si një çështje nën procedim prej 2021, rezultatet e këqyrjeve në telefonë do t’i bashkëngjiten hetimeve.

Gjykata Kushtetuese u ka dhënë të drejtë më herët për çështjen e telefonëve Onejda Ymeraj, që ishte thirrur për çështjen Ahmetaj, dhe gazetarit Elton Qyno, të cilit iu bllokua telefoni dhe iu kërkuan burimet që e informuan.

Top Channel