Autoritetet italiane kanë arrestuar Saimir Kolaverin, i cili dyshohet se ka qenë ndërmjetës në organizimin e vrasjes së Klevis Lleshit, një krim që dyshohet të jetë kryer për motive gjakmarrjeje.

Sipas hetimeve, Kolaveri ka luajtur rolin e lidhjes mes dy personave kyç të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale: Aurel Hoxha, i dyshuar si porositësi i vrasjes, dhe Sahab Nuzi, i identifikuar si ekzekutori i dyshuar.

Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se vrasja dyshohet të jetë kryer me pagesë, në shumën prej 50 mijë euro.

Hetuesit dyshojnë se Aurel Hoxha ka dhënë urdhrin për vrasjen, për shkak të një konflikti të mëparshëm dhe motive të lidhura me gjakmarrjen. Sahab Nuzi ka marrë përsipër ekzekutimin e krimit kundrejt pagesës, ndërsa Saimir Kolaveri ka ndërmjetësuar kontaktet dhe marrëveshjen mes dy të dyshuarve.

Ndaj Kolaverit është lëshuar më herët një urdhër-arresti ndërkombëtar, dhe tashmë ai ndodhet në paraburgim në Itali, në pritje të procedurave të mëtejshme.

Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe ato italiane, ndërkohë që priten zhvillime të tjera në zbardhjen e plotë të këtij krimi të rëndë.

Top Channel