Rusia mohon përfshirjen në incidentet me dronë në Danimarkë, ambasadori rus në Oslo: Akuza qesharake dhe të pabaza

25/09/2025 15:15

Moska i ka hedhur poshtë si “qesharake” spekulimet në lidhje me përfshirjen ruse në incidentet e fundit me dronë në Danimarkë, tha të martën ambasada ruse në Kopenhagen.

Në një deklaratë në Telegram, ambasada i përshkroi ndërprerjet e raportuara në aeroportet daneze si një “provokim të inskenuar”, duke thënë se ato po përdoreshin si pretekst për të përshkallëzuar tensionet.

Dronë me origjinë të panjohur fluturuan mbi një aeroport civil dhe ushtarak në Danimarkë për natën e dytë radhazi këtë javë, teksa ministri i Mbrojtjes vlerësoi se tani ekziston një “kërcënim sistematik” i shkaktuar nga një “lojtar profesional”.

Aeroportet kryesore të prekura

Kujtohet se për shkak të ndërprerjeve, Aeroporti i Aalborgut, i vendosur në Danimarkën veriore dhe një nga më të mëdhenjtë në vend, pasi përdoret si për fluturime komerciale ashtu edhe për ato ushtarake, u mbyll, njoftoi policia daneze. Dronët u larguan nga zona pas rreth tre orësh. Tre aeroportet e tjera nuk u mbyllën.

Sulmi me dronë preku forcat e armatosura daneze dhe u përshkrua si “sulmi më serioz deri më sot ndaj infrastrukturës daneze” nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen. Autoritetet norvegjeze mbyllën gjithashtu hapësirën ajrore të Aeroportit të Oslos për tre orë të hënën në mbrëmje, pasi u pa një dron afër tij.

“Dronët që ndaluan fluturimet në Aeroportin e Kopenhagenit ishin pjesë e një modeli konfliktesh të vazhdueshme në kufijtë tanë”, tha të martën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ambasadori i Rusisë në Danimarkë tha se dyshimet për përfshirjen e vendit të tij në incident ishin të pabaza, një karakterizim që zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e kishte mbështetur gjithashtu.

Top Channel